Transmetuar më 21-08-2020, 11:13

Detaje të reja dalin në dritë lidhur me vdekjen tragjike të 17-vjeçares Enisa Doda, në plazhin e Velipojës, teksa kishte dalë në det për të bërë një xhiro me motor uji me 25-vjeçarin Indrit Bajraktari.

Zbulohet se Bajraktari ishte i martuar në Angli, me një vajzë me emrin Almudena, me të cilën jetonte në Londër.

Madje dy të rinjtë, të martuar në prill të vitit 2019, janë në pritje për tu bërë prindër, pasi Almudena Bajraktari është shtatzënë.

Sipas pretendimeve të së resë, Indriti i kishte thënë të shoqes se do të kthehej në Shqipëri për të takuar familjen, ndërkohë që xhiroja me Enisën në det dhe deklaratat për ngjarjen, kanë një sërë kontradiktash brenda.

Të zotët e motorit të ujit, nisën të shqetësoheshin atë pasdite 19 gushti, teksa nuk po i shihnin të rinjtë të ktheheshin në breg. Teksa dolën të kërkonin, ata pikasën Bajraktarin duke dalë në breg me not, ndërsa mjetin e kishte braktisur në det.

Kur e pyetën për të renë, ai tha se kishte dalë në breg dhe ishte larguar me xhaxhanë e saj.

Përballë refuzimit për të dhënë sqarime, të zotët e mjetit e kanë goditur me grusht, për ta ndaluar deri kur e arrestoi policia.

E reja u gjet e vdekur në det, ku sipas dëshmisë së të riut që ndodhej me të, Indrit Bajraktarit, Enisa kishte rënë nga motori i ujit, teksa në qafë kishte edhe çelësin e tij.

Ndaj 25-vjeçarit të arrestuar, janë ngritur tre akuza, “Shkaktimi i vetëvrasjes”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Kjo pasi dyshohet se i riu ka parë vajzën teksa ka rënë nga mjeti dhe nuk i ka ardhur në ndihmë, duke bërë që adoleshentja të mbytet.

Ishte një peshkatar ai që pikasi trupin e pajetë të vajzës, rreth 800 metra nga bregu, në zonën e Vilunit.

E ndjera ishte me origjinë nga Burreli dhe banuese në Bathore, Tiranë dhe prej disa ditësh ndodhej me pushime me familjen në Velipojë. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd