Transmetuar më 20-08-2020, 17:53

Në dy nga tre spitalet Covid raportohet një gjendje që sa vjen dhe po bëhet edhe më e rëndë gjatë ditës së fundit.

Raportohet se ka pasur plot 16 urgjenca sot vetëm tek spitali Infektiv 1.

Mes tyre është shtruar me urgjencë edhe një i ri, rreth të 30-ve.

Në spital Covid 2, raportohen 13 urgjenca, dy prej të cilëve në gjendje shumë të rëndë.

Raportohet se bluzat e bardha, nga fluksi i fundit, po përballen edhe me vështirësi.

Numri i kufizuar për të përballuar situatën e fundit me urgjencat dhe pacientët e shtruar, sipas tyre, e bën edhe më dramatike gjendjen.

Mjekët janë shprehur se nga kjo situatë e fundit, urgjencat duhet të shpërndahen edhe nëpër poliklinikat e kryeqytetit, sipas rasteve.

Zyrtarisht, nga të dhënat e Ministrisë së Shëndetësisë, në spitalin Infektiv dhe "Shefqet Ndroqi" po trajtohen aktualisht 121 pacientë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 19 në terapi intensive nga të cilët 7 pacientë janë të intubuar dhe në gjendje të rëndë.

Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, fatkeqësisht në dy spitalet COVID, nuk e kanë fituar dot betejën me sëmundjen 4 pacientë, një 57 vjeçar nga Vlora dhe tre qytetarë nga Tirana një 68 vjeçar, një 80 vjeçar dhe 82 vjeçar, me sëmundje bashkëshoqëruse.

Gjatë 24 orëve të fundit në vendin tonë janë kryer 847 testime për vlerësimin e infektimit nga virusi SARS COV2, dhe 155 persona janë konfirmuar pozitivë me COVID-19.

Në vendin tonë zyrtarisht gjatë 24 orët e fundit janë shënuar edhe 155 raste të reja me koronavirus.

Në total numri i personave që kanë humbur jetën ka shkuar në 238 vetë.

Po ashtu janë shëruar 55 persona, në 24 orët e fundit./NOA.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd