Transmetuar më 20-08-2020, 11:52

Arrestohet i riu, rëndojnë 3 akuza. Është e paqartë përse policia ka vënë si akuzë kryesore ndaj të riut, atë të shkaktimit të vetëvrasjes

Vajza 17-vjeçare e cila humbi jetën në plazhin e Velipojës një ditë më parë, u gjet e pajetë, nga një peshkatar, 800 metra nga bregu, në zonën e Vilunit.

Peshkatari njoftoi policinë. Adoleshentja Enisa Doda kishte hipur në një motor uji me Indrit Bajraktarin, një 25 vjeçar nga Shkodra.

Pas më shumë se 30 minutash që djali dhe vajza kishin marrë jet ski, pronarët e mjetit janë futur në det për të parë përse ishin vonuar ta kthenin mbrapsht motorin e ujit.

Kur ishin duke kërkuar për ta, kanë dalluar të riun Indrit Bajraktari duke u larguar, mesa duket, në tentativë për t’iu fshehur asaj që kishte ndodhur dhe u zbulua më pas.

Duke u përballur me njerëzit që i dhanë me qira motorin e ujit, i riu u tha se vajzën e kishte nxjerrë në breg dhe se e kishte marrë xhaxhai i saj.

Pak më vonë u gjet motori i ujit. Kurse orë më vonë, u gjet nga një peshkatar, vajza e mbytur. Policia ka nisur hetimin në vendngjarje dhe një grup i saj lokalizoi vendndodhjen e Bajraktarit. Ai po lëvizte në rrugën Velipojë-Shkodër dhe u ndalua nga policia.

Djaloshi dha një version të ndryshëm mbi fatin e vajzës. Ndërsa pronarëve të mjetit u tha se shoqja doli në breg, pranë grupit hetimor ka deklaruar se vajza ka rrëshkitur nga jet ski dhe se nuk e mban mirë mend se çfarë ka ndodhur.

E ndjera 17 vjeçare ishte me origjinë nga Burreli dhe banuese në Bathore, Tiranë. Ajo kishte ardhur keto dy dite me familjen në plazhin e Velipojës. Djali 25-vjeçar nga Postriba në Shkodër, ishte një shok i saj.

Policia thotë se vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes. 25-vjeçari ndodhet në qeli i akuzuar për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Është e paqartë përse policia ka vënë si akuzë kryesore ndaj të riut, atë të shkaktimit të vetëvrasjes. /noa.al/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd