
Arrestohet një person i dyshuar se mund të ketë përgjegjësi në mbytjen e një vajze adoleshente në plazhin e Velipojës në Shkodër.
I arrestuari është 25-vjeçari Indrit Bajraktari banues në fshatin Kullaj, Njesia Administrative Postribë.
Nga tërësia e veprimeve hetimore rezultoi se rreth orës 14:00 të ditës së djeshme, në vendin e quajtur Vilun, plazh Velipojë, Bajraktari ka hyrë në det me motor uji të marrë me qira së bashku me Enisa Dodën, 17 vjeçe, banuese në Bathore.
Rreth orës 16:30, 25-vjeçari ka dalë në breg pa motorin e ujit duke lënë të mbytur në ujë adoleshenten, e cila kishte ardhur për pushime së bashku me familjen e saj.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua çelësi i motorit.
Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë Shkodër, për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Gjatë marrjes në pyetje Bajraktari ka thënë se vajza ka rrëshqitur, teksa ka shtuar “Nuk e mbaj mend mirë si ndodhi”. Sakaq në trupin e viktimës, raportohet të jenë gjetur shenja dhune.
Pasditen e djeshme policia e Shkodrës tha se rreth 16:30, në vendin e quajtur Vilun, Velipojë, në një distancë larg nga bregu, rreth 700-800 m është gjetur një shtetase e mbytur në det, e seksit femër. /a.y/noa.al
Detajet e reja
Vajza 17-vjeçare e cila humbi jetën në plazhin e Velipojës një ditë më parë, u gjet e pajetë, nga një peshkatar, 800 metra nga bregu, në zonën e Vilunit.
Peshkatari njoftoi policinë. Adoleshentja Enisa Doda kishte hipur në një motor uji me Indrit Bajraktarin, një 25 vjeçar nga Shkodra.
Pas më shumë se 30 minutash që djali dhe vajza kishin marrë jet ski, pronarët e mjetit janë futur në det për të parë përse ishin vonuar ta kthenin mbrapsht motorin e ujit.
Kur ishin duke kërkuar për ta, kanë dalluar të riun Indrit Bajraktari duke u larguar, mesa duket, në tentativë për t’iu fshehur asaj që kishte ndodhur dhe u zbulua më pas.
Duke u përballur me njerëzit që i dhanë me qira motorin e ujit, i riu u tha se vajzën e kishte nxjerrë në breg dhe se e kishte marrë xhaxhai i saj.
Pak më vonë u gjet motori i ujit. Kurse orë më vonë, u gjet nga një peshkatar, vajza e mbytur. Policia ka nisur hetimin në vendngjarje dhe një grup i saj lokalizoi vendndodhjen e Bajraktarit. Ai po lëvizte në rrugën Velipojë-Shkodër dhe u ndalua nga policia.
Djaloshi dha një version të ndryshëm mbi fatin e vajzës. Ndërsa pronarëve të mjetit u tha se shoqja doli në breg, pranë grupit hetimor ka deklaruar se vajza ka rrëshkitur nga jet ski dhe se nuk e mban mirë mend se çfarë ka ndodhur.
E ndjera 17 vjeçare ishte me origjinë nga Burreli dhe banuese në Bathore, Tiranë. Ajo kishte ardhur keto dy dite me familjen në plazhin e Velipojës. Djali 25-vjeçar nga Postriba në Shkodër, ishte një shok i saj.
Policia thotë se vijon punën për zbardhjen e plotë të ngjarjes. 25-vjeçari ndodhet në qeli i akuzuar për veprat penale “Shkaktimi i vetëvrasjes”, “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”. Është e paqartë përse policia ka vënë si akuzë kryesore ndaj të riut, atë të shkaktimit të vetëvrasjes. /noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





