Transmetuar më 19-08-2020, 08:21

Mjeku i Spitalit Covid1, Tritan Kalo, bën një apel për të gjithë të rinjtë që të tregojnë kujdes për të frenuar përhapjen e koronavirusit duke fajësuar organet shtetërore se po kontrollojnë zbatimin e rregullave sa për sy e faqe.

Ai thotë se kontrollet e Policisë Bashkiake në Tiranë nëpër autobusët urbanë, sa për të dërguar foto te superiorët se gjoja aty zbatohet mbajtja e maskave nga të gjithë udhëtarët, nuk i vlejnë askujt nëse ato fshehin realitetin.

Kalo pohon se është përdorues i rregullt i këtyre linjave urbane dhe ajo që sheh tregon se jo pak individë, por sidomos të grupmoshës 18-35 vjeç hyjnë në këto autobusë pa maska.

“Infeksioni nga Sars-Cov2 nuk po njeh më moshë prekje si dhe marrje jete… Reagimi ynë si qytetarë nuk mungon, por ligjin në këtë rast duhet ta zbatojnë organet ligjzbatuese, ku hyn edhe policia bashkiake duke mos i lejuar vijimin e udhëtimit këtyre shtetasve të pabindur, për të evituar ndërkohë përplasjet verbale dhe ndoshta edhe fizike mes qytetarëve, të cilët udhëtojnë në këto linja të qarkullimit urban. Punë sa për t’u dukur, boll janë kryer në këto 30 vite demon-kraci”, shkruan me ironi dr. Kalo.

Mesazhi i plotë i dr. Kalos

"Kontrollet e Policisë Bashkiake në Tiranë nëpër autobusët urbanë, sa për të dërguar foto te superiorët se gjoja aty zbatohet mbajtja e maskave nga të gjithë udhëtarët, nuk i vlejnë askujt nëse ato fshehin realitetin… Rënia në kënaqësi dhe mos marja e masave nuk i shërbejnë përballjes së suksesshme me sfidën ndaj Sars-Cov2.

Unë jam përdorues i rregullt i këtyre linjave, dhe ajo që shoh tregon se jo pak individë, por sidomos të grupmoshës 18-35 vjeç hyjnë në këto autobusë pa maska…

Njëkohësisht jo pak prej tyre vrëngosen kur u kërkon të rrijnë pak të distancuar nga të tjerët, pa përmendur edhe paedukatësinë e tyre në motivimin e kësaj sjelljeje të rrezikshme për ata/ato vetë ose për të tjerët rreth tyre…

Agjencitë e lajmeve shprehen prej shumë ditësh e në shumë gjuhë të botës se: “Një nga arsyet e shtimit të rasteve të infektimit nga Sars-Cov2, është moszbatimi i rregullave bazë të distancimit fizik, mbajtjes së maskave në mjedise të mbyllura apo aty ku nuk është e mundur respektimi i kësaj distance nga moshat reja.”

Në Shërbimin e Sëmundjeve Infektive të QSUT ose në Spitalin Covid1 janë shtuar rastet e shtrimeve të të rinjve si edhe humbjet e jetës prej tyre.

Infeksioni nga Sars-Cov2 nuk po njeh më moshë prekje si dhe marrje jete. Reagimi ynë si qytetarë nuk mungon, por ligjin në këtë rast duhet ta zbatojnë organet ligjzbatuese, ku hyn edhe Policia Bashkiake, duke mos i lejuar vijimin e udhëtimit këtyre shtetasve të pabindur, për të evituar ndërkohë përplasjet verbale dhe ndoshta edhe fizike mes qytetarëve, të cilët udhëtojnë në këto linja të qarkullimit urban.

Punë sa për t’u dukur boll janë kryer në këto 30 vite DEMON-KRACI. Flitet për të mbrojtur jetët tona nga një rrezik i mundshëm infektimi në këto linja urbane, prej individëve të pandërgjegjësuar. Vepro tani! /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd