
Presidenti i Republikës, Ilir Meta i cili përfundon mandatin e tij pas më pak se dy vjetësh, duket se po përgatitet të vihet në krye të një lëvizjeje të re që synon të jetë mediatike dhe populiste.
Në një deklaratë që lëshoi sot, Meta shpreh solidaritetin më të fortë me të gjithë gazetarët që janë në një presion brutal nga të gjitha drejtimet për shkak të tmerrit nga raportimi i të vërtetave të tyre në publik.
Tmerri nga fjala e lirë dhe pasqyrimi i së vërtetës është tipari kryesor i regjimeve kriminale që nuk e bazojnë qeverisjen mbi votën e lirë dhe fjalën e lirë, por në mbajtjen të shtypur dhe të frikësuar të popullit të tyre.
Meta thotë se asgjë nuk e ndal ndryshimin, madje thekson se koha e ndryshimit ka kaluar prej 4 vitesh.
Duke vënë në dukje se tani ka ardhur kohë tjetër, Meta fton: "Ju lutem gazetarëve të më njoftojnë që kur të gjithë pronarët e tyre të dorëzohen para presioneve të pushtetit, të themelojmë së bashku një media transparente që ta nisë Kohën e Re me Përmbysjen e këtij regjimi të neveritshëm mediatik që turpëron çdo njeri me minimum dinjiteti", thotë Meta duke fshikulluar mënyrën e pështirë me të cilën kryetari i bashkisë Tiranë, Erion Veliaj fyen gazetarët.
"Mos u dorëzoni para presioneve të pushtetit dhe pronarëve", thotë Meta duke fshikulluar njëkohësisht edhe kryeministrin Rama, babai i ndjerë i të cilit, Kristaq Rama, është përfolur gjerësisht në media për faktin se ka firmosur për ekzekutimin e shkrimtarit Havzi Nela.
"Kujtoni poezinë e Havzi Nelës dhe do i qëndroni misionit tuaj fisnik në shërbim të të vërtetave dhe popullit shqiptar që meriton të rimarrë në dorë fatet e tij.
Si President, por edhe si qytetar, jam sot me gazetaren Beti Njuma dhe familjen e saj të lënduar nga rrugaçëria e një pushteti të pacipë dhe brutal, por edhe me të gjithë kolegët e saj të cilët shantazhohen çdo moment".
Duke iu rikthyer planit për një media të re, Meta thotë se "çdo shqiptar që do një media në shërbim të së vërtetës do jetë aksioner! Dhe Bordi Drejtues do jetë i përbërë vetëm nga gazetarë kurajozë të cilët janë shantazhuar, kërcënuar dhe lënë pa punë nga regjimi". /noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





