Transmetuar më 18-08-2020, 13:26

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini, iu kërkon të gjitha bashkive në vend që të bëjnë pastrimet në shkolla dhe ti bëjnë gati për rinisjen e mësimit në 14 shtator.

Në një videokomunikim me ministren e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, Shahini tha se, “Ne duam të hapim shkollat për të gjithë nxënësit e arsimit para universitar por sipas specifikave që kanë dhe kombinuar dhe me mësimin në kushte shtëpi".

Sipas saj, nxënësit do të ndahen në grupe të vogla dhe mësimi do të bëhet sipas protokolleve të sigurisë.

“Kemi zhvilluar një pyetësor për shkollat te nxënësit, prindërit dhe mësuesit, 87% mendojnë se duhet të kthehemi në shkollë në fillim të vitit shkollor dhe vetëm 13% duan kushte shtëpie. Skenarët janë të ndryshëm, ka shkolla që mund të vijojnë normalisht ku mund të ruhet distancimi, ku ka pak nxënës, ka shkolla që punojnë me një turn, por do i ndajmë me grupe të vogla, ka shkolla të tjera në zonat e tërmetit që ka numër të madh që duhet të organizohen në një formë tjetër për kthimin në shkollë dhe ruajtjen e distancimit social, duke i ndarë në më shumë turne ose duke i çuar në shkollat më të afërta”, deklaroi Shahini.

Nga ana e saj ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se parakusht për hapjen e shkollave vlerësohet krijimi i kushteve dhe respektimi rigoroz i protokolleve të sigurisë, të përcaktuara tashmë nga ekspertët e shëndetit publik.

“Grupet tona të ekspertëve janë në komunikim të vazhdueshëm, për një detajim të protokolleve të sigurisë, ku përfshihen masat e distancimit social, kushtet higjieno-sanitare, si dhe çdo masë që garanton kufizimin e përhapjes së virusit. Ndaj çdo vendim për hapjen e shkollave po koordinohet me përgjegjësi maksimale nga institucionet përgjegjëse për garantimin e masave të distancimit social dhe sigurisht duke vlerësuar në dinamikë situatën epidemiologjike”, tha Manastirliu.

Nga pikëpamja epidemiologjike, nga vlerësimet sistemike të kryera nga Qendra Europiane e Parandalimit dhe Kontrollit të Sëmundjeve, rezulton se “transmetimi i sëmundjes në shkolla ka qenë i rrallë dhe nëse merren masat e duhura të distancimit fizik, higjienës dhe masa te tjera, ato kanë pak gjasa që të jenë mjedise efektive të shtimit të transmetimit të virusit, më shumë se sa vendet me densitet të njëjtë të njerëzve, si për shembull në vendet e punës apo vendet argëtuese”.

Duke theksuar se qëllimi madhor mbetet siguria dhe shëndeti i fëmijëve, arsimtarëve, prindërve, gjyshërve dhe të gjithë qytetarëve, Manastirliu kërkoi bashkëpunimin e çdo qytetari për zbatimin e rregullave që dikton normaliteti i ri.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/228649585103742/

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd