Transmetuar më 14-08-2020, 22:55

Me mijëra emigrantë shqiptarë po kalojnë natën në rrugë, të bllokuar në trafikun prej dhjetëra kilometrash pranë kufirit të Kakavijës, që ndan Shqipërinë me Greqinë.

Kjo pasi pala greke në kufi në orën 22.00 të mbrëmjes së të premtes mbylli traun, duke i lënë shqiptarët të enden rrugëve, në pritje të mëngjesit kur në orën 06.00 siç kanë vendosur autoritetet greke, mund të rinisë puna.

Por edhe dita e nesërme pritet të ketë vështirësi dhe radhë të shumta, për shkak se 15 gushti është dita e Shën Mërisë në Greqi, një nga festat më të mëdha në vend dhe fluksi i grumbulluar në kufi, mbetet i vështirë për tu menaxhuar.

E ndërkohë pafuqia e shtetit shqiptar, përballë kushteve dhe tamponëve të koronavirusit që merr pala greke në kufirin e Kakavijës, bëjnë që shqiptarët të mbeten rrugëve, pa “zot” që t’iu japë zgjidhje.

Si për tu shfajësuar, në kufi u dërguan Forcat e Armatosura të cilat po shpërndajnë ujë dhe ushqime, duke plotësuar nevojat më minimale të mundshme, përballë pafuqisë së shtetit për të dhënë zgjidhje.

Edhe Ministria e Shëndetësisë dërgoi në kufi disa ekipe mjekësore dhe ambulanca, si dhe shërbime hijeno-sanitare, për të asistuar shqiptarët që nëse nuk kalojnë as nesër, pas datës 15-të i pret karantina një javore dhe bashkë me të një valë problemesh në punët që i presin të kthehen.

Duket se negociatat mes palës shqiptare dhe asaj greke kanë dështuar, pavarësisht se nga Kakavija, ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, kërkoi që orari i punës të zgjatet përtej orës 22.00. /A.Ymeraj/noa.al