Transmetuar më 14-08-2020, 08:58

Situata në pikën e kalimit kufitar të Kakavijës paraqitet tejet kaotike ditën e sotme, për shkak të fluksit të kthimit të emigrantëve për në Greqi.

Gjendja paraqitet e rënduar qysh prej ditës së djeshme, ndërkohë që sot radhët arrijnë mbi 15 kilometra, duke bërë që qytetarët të mbeten me orë të tëra në rrugën nacionale Jorgucat-Kakavijë, në pritje për të kaluar përtej kufirit që të mos i kapë karantina.

Një pjesë e mirë e qytetarëve e kanë kaluar natën në radhë në kufi.

Kujtojmë se këto ditë është shtuar fluksi i kthimit të emigrantëve, pasi duke nisur nga data 16 gusht të gjithë qytetarët që do të hyjnë në Greqi, duhet të bëjnë një javë karantinë.

Shkak për vonesat bëhet edhe tamponi që ju merret udhëtarëve në Kakavijë, për të zbuluar nëse janë prekur nga koronavirusi.

Po ashtu hyrjet në shtetin grek nëpërmjet pikave të kalimit në kufirin Kakavijë dhe në kufirin Kapshticë janë të mbyllura nga pala greke për udhëtarët dhe automjetet si në hyrje edhe në dalje të Greqisë gjatë fashës së orarit 22:00-06:00, deri në një njoftim të dytë.

Pikat e kalimit të lartpërmendura hapen për qytetarët dhe automjetet çdo ditë nga ora 06:00 deri në 22:00. /a.y/noa.al