Transmetuar më 13-08-2020, 11:23
Foto ilustruese

Një operacion i policisë së Tiranës i koduar “Destinacioni”, ka goditur një rast në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.

Efektivët e policisë Tiranë, në bashkëpunim me forcën e posaçme “Shqiponja” bënë arrestimin e R. B., 28 vjeç, banues në Tiranë.

Arrestimi i tij u bë pasi është kapur nga shërbimet e Policisë tek “Mbikalimi i Rinasit”, duke transportuar në drejtim të Kukësit, 12 shtetas të huaj, emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit 150 euro secilit, iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin me drejtues shtetasin R. B., u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde e dyshuar kanabis sativa.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët, lënda narkotike dhe 1 celular.

Ndaj të dyshuarit materialet iu referuan Prokurorisë Tiranë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. /a.y/noa.al