Transmetuar më 13-08-2020, 10:30

Avokati i Emiljano Shullazit, Vladimir Meçe, i ka dërguar ngë letër Kryeministrit Edi Rama, Presidentit Ilir Meta dhe kryeparlamentarit Gramoz Ruçi, lidhur me izolimin e klientit të tij, në regjimin “41 bis”.

Në letrën e tij Meçe e cilëson si padrejtësi izolimin e Shullazit, duke kërkuar rishikimin e këtij vendimi.

Sipas tij, urdhri i Ministrit të Drejtësisë, si në firmë edhe në përmbajtje është i kundraligjshëm dhe abuziv dhe thotë se ai është kundërshtuar tashmë gjyqërisht për këto kundraligjshmëri.

“Ligji 108/2018 i miratuar me urgjencë, në vigjilje të ndërrimit të viteve, paraqet një sërë problemesh. Nuk është asnjëherë e vonuar apo e tepërt të pranohet që ekzistojnë mangësi në një proces të hartimit e zbatimit të ligjit, apo që nuk janë marrë në konsideratë Aktet e marrëveshjet ndërkombëtare. Aq më tepër nuk është e vonuar apo e tepërt të rishikohet një gjendje e caktuar ligjore apo edhe e mënyrës së aplikimit të ligjit, kur kjo është në funksion të humanizmit, drejtësisë, barazisë para ligjit dhe distancimit nga politika që shpien në trajtime çnjerëzore, degraduese e me tipare të torturës”, shkruan avokati.

Kjo letër vjen pasi që nga 1 gusht, Emiljano Shullazi, bashkë me pjesëtarët e tij të bandës, Gilmando Dani, Blerim Shullazi, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela, janë mbyllur në qelitë e izolimit, në kuadër të nisjes së regjimit “41 bis”.

Krahas bandës së Shullazit në izolim janë mbyllur edhe Arbjon Aliko dhe Genci Balla.

Çështja në ngarkim të Shullazit është aktualisht në Apel, pasi në nëntor të vitit 2018 Gjykata e Krimeve të Rënda shpalli fajtorë të pandehurit, duke dënuar Emiljano Shullazin, me 14 vite burgim, Gilmando Dani u dënua 12 vjet burg, Endrit Qyqja dhe Endrit Zela me nga 10 vjet dhe Blerim Shullazi me 9 vjet burg. /a.y/noa.al