Transmetuar më 13-08-2020, 09:57

Në daljen e saj të parë publike bashkë me kandidatin për President të Amerikës, Joe Biden, e zgjedhura si zëvendëse e tij, Kamala Harris, sulmoi ashpër Donald Trump por edhe numrin 2 të tij, Mike Pence.

“Amerika kërkon lidership, ndërkohë që ne kemi një President i cili shqetësohet më shumë për veten se sa për njerëzit që e kanë zgjedhur. Nuk e ka marrë asnjëherë seriozisht pandeminë e koronavirusit dhe e ka çuar vendin në krizën dhe depresionin më të madh”, deklaroi Harris në aktivitetin e Wilmington, Delaware, këtë të mërkurë.

Ajo shtoi se do të punojnë për shpirtin e vendit dhe për familjet, në mënyrë që SHBA të ecin përpara. Sipas saj, në Shtëpinë e Bardhë ndodhet një person i cili po mbjell urrejtje dhe ndasi dhe kjo nuk ngjall shpresë, por inat dhe frikë.

Zgjedhja e Kamala Harris si zëvendëse e Jo Biden në garën për Shtëpinë e Bardhë, duket se e bind elektoratin demokrat, siç tregojnë sondazhet.

55-vjeçarja është afro-amerikania e parë e propozuar si kandidate për zv.Presidente në historinë e Amerikës.

Ndërkohë Joe Biden tha se Kamala Harris është një grua inteligjente, eksperte, luftëtare dhe e vendosur. /a.y/noa.al