Transmetuar më 12-08-2020, 20:50

Mjeku Pëllumb Pipero ka qenë i ftuar sot në një lidhje me skype në Fax News, ku ka folur mbi shifrat shqetësuese të rasteve me Covid në vendin tonë, si dhe pacientët e shtruar në spitale.

Sipas Piperos ka një lloj shkujdesjeje nga ana e qytetarëve në raport me virusin, ndërkohë që mjekët janë duke u përballur me një situatë mbinjerëzore.

“Informacioni që u jepet qytetarëve duhet të jetë zyrtar, është detyrim ligjor komunikimi me gazetarët. Natyrisht që shifrat janë shqetësuese, në rritje të qendrueshme, çka tregon se jo vetëm kemi ekspozim të shtuar, për shkak të lëvizjeve, apo pushimeve, një lloj shkujdesje që duket jashtë dyerve të spitaleve, ku ka ende njerëz që nuk besojnë. Ndërkohë që është situata brenda spitaleve, ku mjekët kanë një përballje mbi njerëzore”, u shpreh Pipero.

Sa i takon muajve të dimrit, Pipero tha se padyshim që do të ketë një situatë më të vështirë në spitale, pasi mund të ketë dhe pacientë që preken nga viruset stinore, dhe që kanë nevojë për trajtim spitalor.

Sipas Piperos do të ishte e mirë që maska të bëhej e detyrueshme dhe në ambiente të hapura, që qytetarët të mësoheshin me përdorimin e saj, veçanërisht në qytetet ku ka një numër më të madh popullsie.

“Situata në muajt e dimrit, padyshim që do të jetë më shqetësuese, për shkak se do kemi edhe viruse të tjera, siç është gripi i zakonshëm. Ne duhet të jemi të përgatitur, që me qarkullimin e virusit stinor do të kemi një rritje të mëtejshme të numrave. Unë kam qenë kundërshtar i maskës në mjedise të hapura, them dhe kërkoj që maskën secili duhet ta vendos tashmë dhe në rrugë, maska duhet të bëhet detyrim ligjor dhe në mjedise të hapura, veçanërisht në qytetet ku ka një popullim të madh njerëzish”, tha mjeku.