Transmetuar më 12-08-2020, 19:17

Gratë përherë e më shumë po i drejtohen policisë jo vetëm për dhunën fizike, por edhe dhunën psikologjike.

Por a ndikoi Covid-i për acarimin e marrëdhënieve në familje e për rrjedhojë, shtimin e dhunës? Policia konfirmon.

Duke iu referuar rasteve që kanë kërkuar mbrojtje gjatë këtyre muajve, psikologia e Policisë së Tiranës flet përmes shifrave për kurbën në rritje të dhunës .

“Nga data 1 mars deri 31 korrik janë 215 raste dhune në familje si vepra dhe 354 raste urdhra mbrojtjeje sipas ligjit 9669”, shprehet Besmira Mucaj pë TCH, psikologe në Polici.

Në të gjithë vendin, nga muaji mars kur u shpall gjendja e pandemisë u regjistruan 1200 raste dhune në familje.

Rritja e rasteve të dhunës ka bërë që në gjykata dyert të mbahen hapur nga gjyqtarë të caktuar me grafikë që trajtojnë edhe gjatë pushimeve dhe fundjavës kërkesat për urdhër të menjëhershëm mbrojtjeje.

Farije Budo këtë të mërkurë shqyrtoi pesë denoncime.

“Në familjen time roli im është i papërfillshëm, im shoq më thoshte më parë do marr mendimin e maces pastaj mendimin tim. Gjatë karantinës dhuna verbale dhe psikologjike u shtua, ndaj kërkoj urdhër mbrojtjeje.

Kjo është deklarata e Denisës 27 vjeçe, që fitoi urdhër mbrojtjeje, ndërsa gjykata i urdhëroi të shoqin të qëndrojë 100 metra larg derisa çifti të vendosë çfarë do bëjë me martesën”.