Jorida Tabaku: Rama në ikje po e ‘mbyt’ ekonominë, bizneset shqiptare investuan jashtë 1.3 mld euro
Transmetuar më 09-08-2020, 13:57

Jorida Tabaku, ish-deputete e Partisë Demokratike është shprehur sot përmes një reagimi në Facebook, se bizneset shqiptare kanë investuar jashtë Shqipërisë 1.3 mld euro dhe shumica kanë shkuar në fqinjin tonë Maqedonisë së Veriut.

"Jo vetëm nuk tërheqim investime të huaja por as nuk bindim bizneset vendase të investojnë në Shqipëri. Mijëra vende të reja pune në RMV prej investimeve te biznesit shqiptar, ndërkohë që rradhët e të papunëve në Shqipëri shtohen përditë", – shprehet Tabaku.

"Pse ndodh kjo?", – pyet ajo.

"Sepse kryeministri në ikje ka krijuar klimën më mbytëse për punësimin, investimet dhe sipërmarrjen shqiptare. Në vend të ndihmës për ekonominë, Qeveria Rama ka shpërdoruar dhe vjedhur me PPP-të korruptive një vlerë sa 13% e Prodhimit të Brendshëm, afërsisht sa investimet e humbura në Shqipëri".

Sipas Jorida Tabakut, "këto miliarda euro dhe mijëra vende pune të humbura për shqiptarët, fqinji ynë na i ka marrë si pasojë e politikave fiskale dhe ekonomike pro-biznes. Vetëm për 2019 vlera që kemi humbur ka qenë sa 10% e PBB-së".

Jorida Tabaku shton se – "punësimi ka nevojë për biznese dhe investime. Bizneset dhe qytetarët kanë nevojë për frymëmarrje dhe programi ekonomik i PD ka objektiv pikërisht këtë".

Ajo flet edhe për planin ekonomik të PD-së, që sipas saj ka për qëllim të shpëtojë ekonomikë nga gjenta e mjerueshme, ku është katandisur sot.

"Eliminimi dhe reduktimi i 18 taksave dhe mbi 60 tarifave, moratoriumi 1 vjeçar për inspektoriatet si dhe lehtesimi i çdo procedure burokratike dhe prezantimi i taksës së sheshtë 9%, do ta kthejnë Shqipërinë në një vend normal dhe shumë konkurues me qëllim investimet më të larta në rajon. Fokusi ynë është të luftojmë për çdo vend pune, dhe të mbështesim çdo sipërmarrje, duke i rikthyer frymëmarrjen ekonomisë".

"Shqipëria në punë është një program real që ka në bazë bizneset e ndershme e njerëzit punëtorë! Sot më shumë se kurrë kemi nevojë ti japim shpresë të rinjve e ta bëjmë Shqipërinë një vend të denjë për të jetuar e punuar! Shqipëria në punë është oferta jonë për bizneset që mos të shpenzojnë miliarda jashtë vendit: të luftojmë bashkë për investime të reja dhe vende të sigurta pune me paga dinjitoze në vendin tonë", mbyll reagimin Jorida tabaku, lidhur me situatën ekonomike të vendit tonë.

/NOA.al