Transmetuar më 08-08-2020, 12:58

Nëse fjala Covid-19 është ndoshta më e përdorura dhe më e frikshmja e vitit 2020, patjetër që murtaja ka qenë ndër shekuj makthi i njerëzimit.

Pothuajse e zhdukur gjatë shekullit të XX, ajo ekziston gjithsesi, madje është raportuar gjatë dekadave të fundit edhe në Shtetet e Bashkuara, në Kili ose në disa vende afrikane. Por prej disa kohësh ka filluar të shfaqet gjithmonë e më shpesh në disa zona të Azisë, raporton CNN.

Këto ditë, autoritetet e rajonit kinez të Mongolisë, në kufi me shtetin që mban të njëjtin emër, kanë izoluar një qytezë të tërë pas vdekjes së një personi pikërisht nga sëmundja vdekjeprurëse.

Qytez Suji Xincun është tashmë e futur në karantinë dhe banorëve po u bëhen testime. Autoritetet thonë se janë të shqetësuar për përhapje të mundshme të sëmundjes, sepse zona ka një historik të afërt me sëmundjen.

Ky virus infektues shumë i rrezikshëm po përhapet dhe në rajone të tjera të Kinës.

Zyrtarët thanë se kohët e fundit janë regjistruar disa raste të tjera të murtajës, të shkaktuara nga ngrënia e disa brejtësve, siç është rasti i lepujve të egjër, që ishin konsumuar pa u pjekur mirë.

Raportohet se disa lokalitete turistike janë mbyllur pas konfirmimit të një rasti tjetër, dhe perimetri i një zone të tërë është rrethuar duke mos lejuar hyrje-daljen e njerëzve. Është e qartë se mbarë bota duhet të bëjë shumë kujdes sepse të gjithë e panë sesi Kina izoloi virusin Covid-19 në Wuhan duke mos lejuar të depërtojë në pjesën tjetër të vendit 1.4 miliardë banorësh, por i la kufijtë ajrorë të hapur duke e shpërndarë virusin në gjithë botën, ku 8 miliardë njerëz po vuajnë pasoja të paprecedenta.