Transmetuar më 07-08-2020, 23:00

Kjo foto e rallë e dy kolosëve të kinematografisë sonë, Sandër Prosi dhe Demir Hyskja i përket vitit 1977, gjatë një vizite të tyre në Paris.

Ishte koha kur dalja jashtë konsiderohej privilegj. Kur vendi ishte i izoluar, këtë privilegj e kishin zyrtarët e lartë të regjimit, apo edhe artistë, sportistë apo shkrimtarë të elitës së vendit.

Dhe "armiqtë e regjimit" të kaluar ngatërrohen shpeshherë me fakte të tilla, aq sa i konsiderojnë ‘vegla’ të komunizmit artistët dhe shkrimtarët elitarë, dhe jo politikanët e sotëm, të të gjitha ngjyrave që kishin të njëjtin privilegj.

Madje ka edhe një debat absurd, në mungesë të kulturës apo dështimit për të bërë art gjatë 30 viteve të fundit, pas rënies së komunizmit, siç edhe numërohen dështimet në të gjitha fushat e tjera, veç asaj politike për të ndërtuar një demokraci funksionale.

Në mungesë të pruduktit artistik cilësor sot, si dikur, është propozuar që të censurohen filmat para viteve ’90, me argumentin se ato përmbajnë tematika me propogandë komuniste. Censura, në fakt, nuk është virtyt i demokracisë, por është liria e qytetarit për të zgjedhur çfarë i pëlqen, pa cënuar liritë dhe të drejtat e tjetrit.

Dhe nëse sot bëhet art më i mirë, zgjedhja i takon në liri të plotë qytetarit të pëlqejë atë.

E vërteta e filmave me partizanë është e hiperbolizuar dhe shqetësimin mund ta ngrejnë fare mirë italianët ose gjermanët që ranë "viktima" të tyre.

Është njësoj si SHBA të propozojë që të cenusurojë sot filmat me Çak Norris, të cilët jepeshin në fillim të viteve të para të demokracisë, në vendin tonë, kur aktori hero amerikan, i vetëm në luftë për rreth dy orë vriste me qindra dhe mijëra ‘armiq’ të Vietnamit, nga të gjitha drejtimet, madje triumfonte edhe kur i mbaronin fishekët.

Por në vend të kësaj, SHBA nuk i vuri ‘dinamitin’ Hollivudit, siç bënë shqiptarët me Kinostudion dhe Teatrot pas ’90, përkundrazi, e ka përsosur artin e saj, si dhe arritjet artistike të filmit, ashtu siç vepron me çdo fushë tjetër. Apo ashtu siç vepron edhe çdo vend tjetër me demokraci normale.

Njihet historia e të madhit Sandër Prosi, që u përjetësua në film kryesisht me rolet patriotike të Ismail Qemalit dhe Dhaskal Todrit.

Po ashtu njihet edhe fati i tij tragjik.

Demir Hyskja, gjatë gjithë karrierës së tij ka luajtur rreth 60 role në skenën e teatrit dhe rreth 40 role në filma. Ky “Artist i Popullit” ka luajtur edhe në skenat ndërkombëtare si në Gjermani, Francë, Itali, Rumani e gjetkë, ku ka vajtur Trupa e Teatrit Kombëtar, pjesëtar i së cilës ka qenë edhe ai.

Që nga roli i dramës “Tokë e përgjakur”, ku ka luajtur edhe i madhi Kadri Roshi, Demir Hyskja kujton jo pa nostalgji rolin e parë në një film dhe ai është roli i Mytesarifit të Durrësit në filmin “Nëntori i Dytë”.

Para se të ndahej nga jeta katër vite parë, më 6 Gusht 2016, Demir Hyskja dha një intervistë për gazetarin Hyqmet Zane.

Ai mes të tjerash foli në në kuadër të debatit që është hapur për transmetimin apo jo të filmave të realizuar, në kohën e komunizmit.

"Demokracia është një sistem që të krijon mundësinë që të vesh në shërbim të vetes dhe të të tjerëve një aftësi shumë të madhe të vlerave të tua që mund të keshë. Ndoshta sistemi komunist kishte kufizime shumë në këtë drejtim. Mirëpo ne nuk po dimë që as ta gëlltisim si duhet, as ta ushtrojmë si duhet këtë liri", tha ai. "Ne i kalojmë caqet dhe krijojmë fenomene të papranueshme për jetën dhe për shoqërinë. Këtu është diferenca. Demokracia të jep mundësinë që të shprehesh, mirëpo kur kalohen caqet, merr drejtim të kundërt pastaj".

Por cila është kaqardhja e artistëve që përjetuan edhe vitet e lirisë dhe të demokracisë.

"Më vjen keq për një gjë, se ne punuam shumë. Besuam edhe në ideale se po i shërbenim një kauze të madhe, edukimit të njeriut, formimit të njeriut të ri dhe në emër të kësaj ne punuam me përgjegjësi të lartë. Pse ndjenim përgjegjësinë e punës, punët tona morën vlera për kohën".

"Tematika që ushtrohej në atë kohë në veprat që shkruheshin dhe viheshin në skenë apo në film, ka qenë shumë e larmishme, me shkrime me karakter patriotik, me karakter shoqëror e shkencor. Dhe arriti deri aty ku arriti. Por vlerësimi materiale për ne në atë kohë ka qenë qesharak".

"Nuk ka vlerë t’i zeshë me gojë. Sot vlerësimi ka marrë përmasa të tjera. Të luash një rol të rëndësishëm në një film, mund të marrësh edhe 2 milion lekë për një punë ta zemë dy muaj. Ndërsa ne kemi punuar me 100 lekë të vjetra dietë në ditë. A mund të jetohet me 100 lekë të vjetra?", pyet aktori i madh i një brezi të artë, që megjithatë, pavarësisht politkave të mbrapshta do të kujtohet gjatë dhe vështirë se do të harrohen ai dhe të tjerët nga publiku shqiptar.

/a.m/ NOA.al