Transmetuar më 07-08-2020, 16:35

Disiplinimi i drejtuesve të automjeteve duket se është një mision i pamundur.

Së fundmi, në radarin e policisë rrugore është regjistruar shpejtësia e çmendur me të cilën një shofer po ecte në rrugë.

239 kilometra në orë, në një aks ku limiti i shpejtësisë ishte 110. Kontrollet janë ushtruar në disa akse rrugore të qarkut Elabasan dhe konkretisht në aksin rrugor Peqin-Rrogozhinë dhe në aksin rrugor Krrabë-Elbasan.

Në akset Peqin-Rrogozhinë dhe Krrabë-Elbasan 17 leje drejtimi të pezulluara gjatë ditës së sotme, konkretisht:

Gjatë kontrolleve në aksin rrugor Peqin-Rrogozhinë janë evidentuar dhe ndëshkuar 8 drejtues mjetesh që qarkullonin ne shpejtësi nga 120 deri në 140 km/h, ndërkohë që tabela lejon të qarkullosh me 80 km/h.

Ndërkohë në aksin rrugor Krrabë-Elbasan gjatë mesditës së sotme janë evidentuar dhe ndëshkuar 9 drejtues mjetesh që qarkullonin me shpejtësi nga 150 km/h deri në ekstrem 239 km/h, ku tabela lejon 110 km/h.

239 km/h, në kulmin e trafikut përtej çdo limiti të arsyes, kjo shpejtësi është vrasëse për jetën e drejtuesit të mjetit sado luksoz ta ketë, por aq dhe e rrezikshme për jetën e përdoruesve të tjerë të rrugës, thotë policia.

Ndërkaq, prej mëngjesit të sotëm deri tani janë vendosur 23 masa administrative për parakalime të gabuara për manovra të rrezikshme në rrugë.

19 drejtues mjetesh janë dërguar në komision për mosvendosje të rripit të sigurimit.

21 drejtues mjetesh janë ndëshkuar për përdorim të celularit gjatë drejtimit të automjetit.

3 masa maksimale me vlerë 30.000 lekë të rinj secila, për shpejtësi tej normave të lejuara, pasi drejtuesit e mjeteve ishin shtetas të huaj. /k.k/noa.al/