














Shpërthimi misterioz i Bejrutit: Dhjetra të vdekur dhe mijëra të plagosur deri tani, konfirmoi ministri i shëndetësisë së këtij vendi.
Njerëz të gjakosur, mes tyre edhe fëmijë, u panë të vraponin në rrugë. Ka të tjerë që besohet se kanë mbetur ende nën gërmadha.
Shpërthimi i fuqishëm në kryeqytetin e Libanit, Beirut, ka vrarë të paktën 50 njerëz dhe ka plagosur më shumë se 2.500 të tjerë, sipas raportimeve të fundit, deri tani.
Ende nuk është e qartë se çfarë e shkaktoi shpërthimin misterioz dhe horror në rajonin e portit.
Videot e postuara në internet treguan një kolonë tymi, e ndjekur nga një re e madhe në formë kërpudhe, e ngjashme me një ‘bombë bërthamore’.
Spitalet thuhet se janë mbingarkuar dhe shumë ndërtesa janë shkatërruar.
Shefi i sigurisë së brendshme të Libanit tha që shpërthimi ndodhi në një zonë që strehonte materiale mjaft eksplozive.
Një gazetar i BBC në vendngjarje raportoi kufoma dhe dëme të rënda, të mjaftueshme për ta nxjerrë edhe portin jashtë pune.
Shpërthimi ndodhi në një kohë delikate për Libanin, që po kalon një krizë të rëndë ekonomike, por edhe politike, për shkak të ndasive të vjetra. Tensionet janë gjithashtu të larta përpara verdiktit të së Premtes në një gjyq që ka nisur për vrasjen e ish-kryeministrit Rafik Hariri në 2005.
Ka raportime se është shkatërruar edhe banesa e djalit ish-kryeministrit Saad Hariri nga shpërthimi. Partia e Hariri konfirmoi se ai është i sigurt. Shpërthimi vjen vetëm disa ditë para se një gjykatë do të vendosë për vrasjen e ish-kryeministrit Rafik Hariri, babai i Saadit.
Disa raportime thonë se shpërthimi mund të ketë qenë edhe aksidental, por kjo ndoshta shihet edhe si strategji për të ulur sadopak tensionet.
Mediat lokale treguan se mjaft njerëz mbeten të bllokuar nën rrënoja. Një dëshmitar e përshkroi shpërthimin e parë si shurdhues dhe pamjet e videove treguan makina dhe ndërtesa të tëra të shkatërruara nga shpërthimi.
Vendet e mëdha si Anglia dhe Franca kanë shprehur solidaritet me Libanin dhe janë treguar gati për të ndihmuar dhe hetuar një ndër ngjarjet më tragjike në Liban./NOA.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





