Transmetuar më 04-08-2020, 12:41

Të rikthyer në pozicion kyç si pjesë e Komisionit të Vlerësimit të kandidatëve për deputetë, demokratët Genc Ruli dhe Besnik Mustafaj, folën për mediat ditën e sotme pas mbledhjes së parë të mbajtur në selinë blu.

Mustafaj tha se janë të angazhuar që të përzgjedhin kontigjentin më të mirë të pretendentëve për deputetë.

“Ky është procesi më i rëndësishëm që ndodh brenda Partisë Demokratike. Janë propozuar kandidatura serioze”, u shpreh Mustafaj.

Nga ana e tij Genc Ruli deklaroi se, rikthimi i tij në rol aktiv në PD, tregon pjekurinë e partisë.

Sipas tij, ky proces është një politikë e hapjes, teksa kujtoi se ka pasur qëndrime kritike ndaj lidershipit për shkak se i gjykonte ndryshe si duheshin zhvilluar proceset në atë kohë.

“Kjo është një shenjë e pjekurisë dhe mendje-hapjes së partisë sot. Unë kam qenë disa herë kritik ndaj lidershipit të PD, vlerësimi ynë kur ka qenë i ndryshëm e kam thënë dhe i kam qëndruar mendimit tim”, tha Ruli.

Ai deklaroi se “Sot, kam bindjen e plotë se me veprimtarinë e PD-së, sidomos në dy vitet e fundit unë jam plotësisht dakord me çdo aksion politik të saj dhe, për më tepër ndjehem i vlerësuar që unë mund të jap kontribut sot, në përzgjedhjet e një ekipi sa më cilësor kandidatësh, në atë që do të jetë, përplasja më e madhe elektorale, por pa dyshim një nga fitoret më të mëdha elektorale të PD-së”.

Anëtarët e Komisionit dhe dy ndihmësit në procesin e vlerësimit të propozimeve të ardhur nga anëtarësia, u takuan sot me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, një ditë pas miratimit të Komisionit nga Kryesia dhe Këshilli Kombëtar i PD./a.y/noa.al

PD zbulon anëtarët e komisionit që do të zgjedhin kandidatët për deputetë, rikthehen Ruli dhe Mustafaj