Transmetuar më 01-08-2020, 11:26

“Kjo Qeveri që na bëri “delen e zezë” Covid në Europë, së paku të kujtohet për vaksinat!”

Është kjo deklarata e ish-ministrit të Shëndetësisë, demokratit Tritan Shehu, i cili thotë se aktualisht çdo gjë që lidhet me Covid është jashtë kontrollit, jemi në një krizë shëndetësore me pasoja të rënda prej keq “menaxhimit” të kësaj qeverie, jemi të izoluar nga Europa.

Sipas tij, edhe disa “vendime” gjysmake të ditëve të fundit mbasi u humbën në “shurdhësi” muaj të tërë, nuk mund ta ndryshojnë gjendjen.

Shehu thotë se laboratorëve tanë do tu duhet tashmë gjatë për tu vendosur në kapacitetet e tyre në testimin e popullsisë, qoftë në nivel cilësor, të larmishmërisë së metodikave dhe atë sasior, kur ne duhet të realizojmë minimalisht 2500 tamponë në ditë, përveç masivizimit të serologjisë.

“Mjeku i familjes që për të gjithë këtë periudhë u la si i ‘njerkës’, vazhdon i pa mbrojtur e në amulli, gjë që do vazhdojë ta mbajë jashtë funksioneve. Institucionet shëndetësore me shtretër e personeli i tyre, të lënë pa mbrojtje, pa struktura reale triazhi, të pa testuar së bashku kjo me pacientët në shtrim, janë handikapuar rëndë duke dëmtuar edhe shëndetin e atyre me patologji të tjera, a më keq duke u kthyer në vatra infektimi, etj, etj”, shkruan Shehu.

Në këto kushte tragjike, sipas tij, së paku Qeveria e Komiteti duhet të mendojnë për vaksinimin masiv e gratis të popullsisë:

-Sipas një direktive të Brukselit po punohet që vaksina e zakonshme ndaj gripit të hidhet në treg shumë më herët, gjë për të cilën ka shumë kërkesa. Menjëherë Qeveria të mbyllë kontratat me prodhuesit për mbulimin e hershëm të krejt popullsisë.

-Shumë indikacione flasin për mundësinë e hedhjes në treg të vaksinave Covid brenda këtij viti. Vende të ndryshme kanë kontraktuar tashmë dhjetëra miliona doza.

“Tek ne asnjë ‘belbëzim’ për këtë. Në qoftë se shpresat janë vendosur te OBSH, radha do të jetë e gjatë. Dikush duhet ta ‘zgjojë’ Qeverinë për të kontraktuar që tashti direkt me prodhuesit mbulimin e shpejtë e të plotë të popullsisë sonë”, thotë në mbyllje ish-ministri demokrat i Shëndetësisë. /a.y/noa.al