Transmetuar më 06-07-2020, 08:56

“Shqipëria ka arritur përparime jo përmes reformave por vetë fakti që ekonomia e lirë sjell zhvillim”. Kështu deklaron pedagogu, aktivisti i njohur Ergys Mërtiri lidhur me zhvillimin e vendit përmes reformave për të qenë pjesë e familjes Europiane. Duke mos i parë të lidhura direkt me njëra tjetrën Mërtiri thotë se zhvillimi është një trend i pandalshëm për të gjitha shoqëritë, edhe nëse ato nuk kanë kushte apo kritere që ju kërkohen.

Numri i kushteve që Bashkimi Europian ka pasur për Shqipërinë në vite të ndryshme ka qenë i ndryshëm. Kështu në tetor të 2013, kohë kur u publikua edhe Raport Progresi, vendi ynë kishte 5 kushte themelore.

Qeverisë i kërkohej që të plotësonte këto kritere në mënyrë që të kapërcente edhe këtë hap të rëndësishëm në procesin e integrimit:

1- Implementimi i reformave në administratën publike

2- Pavarësia e sistemit të drejtësisë

3- Lufta kundër korrupsionit

4- Lufta kundër krimit të organizuar

5- Mbrojtja e të drejtave të njeriut

Po sot jemi afër apo larg plotësimit të këtyre kritereve? Një pyetje që e merr përgjigjen nga vetë raportet që Brukseli ka bërë për vendin tonë. Por pedagogu Mërtiri i sheh shumë të largëta plotësimin e këtyre kushteve nga Shqipëria.

E kur thotë këtë Ergys Mërtiri bën këtë argumentim: “Ne jemi në kushtet që jo vetëm nuk i zbatojmë 5 kushtet e BE, por duken të pazbatueshme. Sepse po të zbatohen ato kushte do të eliminonin këtë klasë politike ose të paktën liderit e këtyre forcave politike”.

Argumentimi vijon edhe më tej nga pedagogu dhe aktivisti i njohur se ku jemi me plotësimin e kushteve të përcaktuara nga Brukseli për vendin tonë. Hapa pas sipas Mertirit në disa elementë shumë të rëndësishme. Ndaj Mërtiri shton se: “Politika shqiptare gjatë gjithë kësaj kohe ka qenë jo vetëm abusive korruptive, ka qenë një politikë që ka synuar të zgjerojë pushtetin e saj në kurriz të parimeve të cilat e mbajnë shtetin. Për shembull sot s’kemi Gjykatë Kushtetuese, pushteti vendor është në një dorë e parlamenti po ashtu. Ndaj s’mund të kemi avancim në plotësimin e këtyre kushteve, përkundrazi”.

Mërtiri merr në analizë njëri pas tjetrin të 5 kushtet e vendosura nga Bashkimi Europian në 2013 e që ende sot janë busulla orientuese për Shqipërinë për tu bërë pjesë e familjes europiane. Kështu lufta kundër krimit, trafiqeve dhe korrupsionit kanë qenë të theksuara thuajse në çdo raport progres, e që janë edhe pjesë e 5 kritereve thelbësore të përcaktuara nga Brukseli. Megjithatë janë shumë reforma të ndërmarra në këtë drejtim dhe hapa mjaft të rëndësishëm duket se janë bërë megjithatë ato kanë qëndruar aty gjithnjë e duket se janë shkaktarët kryesore edhe të vonesës 30-vjecare në këtë proces.

Fajtore në të gjithë këtë vonesë është dhe ajo që ka për detyrë të çojë më tej reformat, politika, thotë me bindje Ergys Mërtiri. Ai shton se: “Politika është bërë pengesa kryesore dhe këtë mund ta shohim në shumë sektor. Kemi vështirësi në shumë sektorë dhe në funksionimin e shtetit ligjor. Politikanët nuk duan rregullin dhe ligjin sepse rregullat dhe ligjet i pengojnë për të bërë korrupsion. Ata janë aty për të mbajtur pushtetin e tyre”.

Ndërsa tashmë Shqipëria ka marrë një PO shumë të rëndësishme sa i përket çeljes së negociatave, e detyra e Shqipërisë është që të plotësojë çdo kusht të vendosur nga Brukseli. Por ka një kompromis që Ergys Mërtiri nuk e pranon as për hir të integrimit. Ai thotë se: “Demokracia prodhon dhe mban stabilititen. Nëse ne sakrifikojmë themelet e shtetit demokratik për hir të stabilitetit, në fakt kemi prodhuar një shtet të kapur. Pra gjatë gjithë kësaj kohe është bërë e kundërta e asaj që duhet bërë”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd