Vrasja e shokut, çfarë dëshmoi dhëndri i Qazim Sejdinit në polici: Kishim pirë shumë
Transmetuar më 31-07-2020, 13:30

Zbardhet dëshmia e dhënë në polici, nga 34-vjeçari Sokol Sanxhaktari, dhëndri i ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini, lidhur me vrasjen e shokut të tij mëngjesin e së enjtes, ngjarje për të cilin është ndaluar.

Sanxhaktari ka thënë para uniformave blu se viktimën, Florian Lamçen, 40 vjeç, e kishte shok.

Ai ka treguar se në darkë u ulën bashkë me shokun tjetër Adriano Hajdarin tek një lokal në qendër të qytetit dhe aty kanë pirë pije të ndryshme.

“Nuk e mbaj mend se si nisi konflikti, nuk më kujtohet se pse më qëlloi dhe pse e qëllova. Jam në gjendje shoku. Florin e kam mik”, mësohet të jetë shprehur Sanxhaktari.

Ndërkohë pak orë para se të vritej 40-vjeçari Florian Lamçe kishte publikuar fotografi në rrjetet sociale me të përfshirin në ngjarje, Sokol Sanxhaktarin, i cili shihet me dorën në qafë me viktimën, ndërsa në një fotografi tjetër ky i fundit e puth në ballë.

Dyshohet se gjithçka ka ndodhur për një konflikt të momentit, teksa të përfshirët në ngjarje nuk kanë qenë në gjendje të kthjellët.

Lidhur me konfrontimin me një viktimë të ndodhur mëngjesin e së enjtes në Elbasan, policia tha se në gjendje të dehur janë konfliktuar duke u dëmtuar me njëri-tjetrin me shishe dhe sende të forta Adriano Hajdari, 42 vjeç, Sokol Sanxhaktari, 34 vjeç, dhe Florian Lamçe, rreth 40 vjeç, banues në Elbasan.

Por si pasojë e plagëve të marra, Lamçe ka ndërruar jetë në spital.

Ndërsa Hajdari dhe Sanxhaktari të përfshirë në ngjarje, kanë marrë plagë të lehta dhe janë ndaluar nga policia e Elbasanit. /a.y/noa.al

Loading...