Transmetuar më 30-07-2020, 18:11

Ish-trajneri kuqezi, Gianni De Biasi, firmosi sot kontratën me Kombëtaren e Azerbajxhanit.

Pas suksesit që pati me Shqipërinë, duke e kualifikuar në Euro 2016, De Biasi kërkon të përsërisë të njëjtin sukses, për kualifikimin e Azerbajxhanit, në Botërorin Katar 2022.

Ai rikthehet pas një periudhë të gjatë, pa skuadër. De Biasi u largua nga stoli kuqezi, gjatë kualifikueseve të Botërorit 2018, dhe pati një eksperiencë të shkurtër në Spanjë, me Alavesh.

"Sot firmosa një kontratë me Federatën e Azerbajxhanit, e cila përfundon më 30 nëntor 2021. Dëshirë e madhe për t’u rikthyer, me një sfidë të madhe", tha trajneri italian.

Përveç ndihmësve italianë, pjesë e stafit të Gianni de Biasi do të jetë edhe ish-kapiteni kuqezi Ansi Agolli. Ky i fundit ka luajtur për disa sezone me Qarabag dhe e njeh gjuhën e këtij vendi, ndaj edhe do të shërbejë në rolin e përkthyesit.

/NOA.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd