“Pse “qeros” ike kaq shpejt?!” Ish-deputeti mesazh prekës për zyrtarin e degës lokale të PD-së (E arrestuan 4 vite më parë)
Transmetuar më 30-07-2020, 17:06

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, për qarkun e Elbasanit, Luçiano Boci, bëri publik sot lajmin e hidhur të ndarjes para kohe nga jeta të një prej bashkëpunëtoreve më të mirë, në degën lokale të këtij qyteti.

Inxhinieri Gëzim Pitja u nda sot nga jeta. – “Qeros”, ti dije të ishe dhe baba i mrekullueshëm dhe bashkëshort shembullor dhe inxhinier i fortë, dhe vëlla i drejtë, por mbi të gjitha njeri e shok i sinqertë" ka shkruar Boci, në mesazhin ngushëllues.

"Do na mungosh shumë në ditë vere, celebrime festash e fushatash zgjedhore", shtoi ai.

Kujtojmë se zyrtari i degës lokale të PD-së së Elbasanit, i cili u nda nga jeta sot, kaloi edhe disa peripeci ligjore, pasi u arrestua me katër zyrtarë të tjerë, rreth katër vite më parë.

Pitja ishte mes katër të arrestuarve në Uzinës së Lëndëve Plasëse në Mjekës, në vitin 2016. Arrestimi i katër personave zyrtarë të Uzinës është kryer në bazë të një kallëzimi kryer nga Ministria e Mbrojtjes, e cila dy vjet më parë kishte depozituar kallëzim penal në organin e Prokurorisë, ku bëhet fjalë për shkelje të kryera gjatë vitit 2012-2013, vit i fundit kur PD ishte në pushtet.

Megjithatë, pavarësisht akuzave, ai e fitoi betejën ligjore dhe vazhdoi të ishte i përkushtuar në profesionin e tij, si dhe në degën lokale të PD-së së Elbasanit.

Përmes një statusi, që bëri sot publik ish-deputeti Luçiano Boci, të cilin me përkëdheli e thërriste "qeros", ka përshkruar vlerat e rralla njerëzore të Gëzim Pitjes.

 Nga Luciano Boci:

"PSE “QEROS” IKE KAQ SHPEJT?!

Lamtumirë i afërm, mik, bashkëpunëtor politik, shok i rrallë Gëzim Pitja!

Ti ishe ai inxhinieri shpërthyes, i papajtueshëm me padrejtësitë, inatciu i madh ndaj së keqes e rrëmbeheshe gjithmonë pas së vërtetës!

Por asnjëherë nuk mëziteshe me mua, kur të drejtohesha me epitetin “qeros”, apo kur të bëja “apel” politik.

E përcillje me atë qeshjen e sjellshme prej elbasanlliu tipik.

Nuk di pse preferove të ikësh diku në përjetësi me kaq ngut!

Kishe ende punë për të bërë, gëzime për të shijuar dhe probleme për të zgjidhur.

Dhe kur e merrje një gjë përsipër, Ti “O e zgjidhje, o vdisje”!

Nuk na e the kurrë çfarë doje të zgjidhje ende me atë paepjen tënde luftarake dhe pse ai inati yt emblematik, u pajtua me vdekjen.

Por e di mirë që doje shumë të mirën, të vërtetën, të bukurën.

“Qeros”, ti dije të ishe dhe baba i mrekullueshëm dhe bashkëshort shembullor dhe inxhinier i fortë, dhe vëlla i drejtë, por mbi të gjitha njeri e shok i sinqertë.

Do na mungosh shumë në ditë vere, celebrime festash e fushatash zgjedhore.

Ta dish…askush nuk e beson që ke ikur!

Por unë e di që ke nxituar drejt parajsës!

Ajo ekziston për njerëz si ty!

/NOA.al