Transmetuar më 30-07-2020, 13:50

Kryedemokrati Lulzim Basha e quan si shkelje të Kushtetutës, votimin e sotëm për ndryshimet kushtetuese të cilat mundësojnë hapjen e listave në zgjedhje.

Në një deklaratë të sotme për mediat, bashkë me aleatët opozitarë, Basha tha se sot, Kuvendi gjysmak i Shqipërisë tregoi sërish, se nuk udhëhiqet nga interesat e qytetarëve, por është vetëm një çirak i interesave politikë të Edi Ramës.

Sipas tij, interesi i qytetarëve sot u shkel me këmbë nga kryeministri në ikje dhe vartësit e tij.

“Qytetarëve nuk po u jepen lista të hapura. Listat janë të hapura vetëm nga fundi i tyre, sepse Edi Rama refuzoi propozimin tonë për të hapur listat 100% dhe për të mos prekur koalicionet. Sot në kuvendin gjysmak, Edi Rama dhe vartësit e tij shkelën me këmbë ligjet, shkelën Kushtetutën. Ata shkelën me këmbë historinë tonë. Ata shkelën me këmbë konsensusin, të cilin u detyruan ta firmosin. Kurrë më parë në historinë tonë 30 vjeçare të pluralizmit, Kushtetuta nuk është ndryshuar në mënyrë të njëanshme dhe pa konsensusin e opozitës. Kurrë më parë në këto 30 vjet, rregullat për procesin zgjedhor nuk janë vendosur vetëm nga partia në pushtet. Ato kanë qenë një produkt konsensual, pavarësisht situatave të rënda politike që kemi kaluar në 3 dekada”, u shpreh Lulzim Basha.

Ai shtoi se kurrë më parë në 30 vjet, një kryeministër nuk ka vënë në mënyrë kaq brutale, interesin e vet personal, mbi interesat e të gjithë shqiptarëve.

Lidferi i opozitës tha se Edi Rama kërkon të marrë peng Shqipërinë për të shpëtuar veten dhe të marrë peng të ardhmen europiane të shqiptarëve për të ruajtur karriken e tij.

“Sepse siç ka bërë deri më sot, Shqipëria i është dashur Ramës vetëm për interesat e tij personale. Nuk do t’ia dalë!”, tha ndër të tjera Lulzim Basha.

Sipas tij, akti i sotëm sot është treguesi i fundit se Edi Rama e di që koha e tij po mbaron.

Për Bashën, Ramai e ka humbur besimin e shqiptarëve dhe e vetmja që i ka mbetur, është të përpiqet sërish ta manipulojë sistemin, duke menduar se mund të zgjasë agoninë e pushtetit e tij të rrënuar.

“Ndryshimet e njëanshme pa konsensus me opozitën dhe në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit dhe 14 janarit janë të papranueshme, nuk janë të detyrueshme për opozitën, dhe aq më pak për qytetarët. Akti i sotëm nuk e ndal dot ndryshimin, ai thjesht tregoi para shqiptarëve dhe partnerëve tanë edhe njëherë fytyrën e autokratit të tmerruar nga ndëshkimi që e pret”, deklaroi kryedemokrati.

Ai thotë se makinacionet e kryeministrit në ikje, që ka frikë të përballet me qytetarët, nuk kanë për ta ndalur rotacionin politik dhe se ndryshimi është i pashmangshëm.

“Koalicioni ynë është me njerëzit, është me shqiptarët. Ne jemi bashkë për ta bërë këtë ndryshim. Ne duam dhe do të kujdesemi për vendin tonë, që ai të marrë prapë frymë lirisht”, tha ndër të tjera Lulzim Basha./a.y/noa.al

Listat e hapura dhe koalicionet, miratohen me 106 vota ndryshimet kushtetuese

#LulzimBasha #LIVE – Deklaratë për mediat sëbashku me me aleatët

#LulzimBasha #LIVE – Deklaratë për mediat sëbashku me me aleatët

Publiée par Lulzim Basha sur Jeudi 30 juillet 2020