Transmetuar më 30-07-2020, 11:05
Rudina Hajdari, Edi Rama, foto arkiv

Deputetja e opozitës parlamentare Rudina Hajdari u shpreh krenare për ndryshimet kushtetuese që do të votohen sot në parlament, për hapjen e listave në zgjedhje dhe formulën e koalicioneve, ku partitë futen në një listë unike.

Ajo e cilësoi si votim historik, hapjen e listave.

“Jam shumë krenare, se nga një çështje periferike, së bashku me kolegët tanë dhe një pjesë të shëndoshë të shoqërisë civile arritëm ta kthenim në një nga çështjet më të mbështetura. Sot ia dedikoj këtë fitore të gjithë qytetarëve shqiptarë, shumicës që kanë qenë kundër për 30 vite, si e kanë qeverisur këtë vend, u kanë imponuar axhendën personale dhe ky vend është bërë më i varfër dhe i korruptuar. Ka detyruar shumë prej shqiptarëve që të largohen, pa shpresë dhe vizion”, u shpreh Hajdari.

Duke shigjetuar opozitën jashtëparlamentare, deklaroi s asgjë nuk do të vlejë nëse në zgjedhjet e ardhshme nuk do të dilet në zgjedhje.

Sipas saj, në parlament do të vijnë ata njerëz që janë të ndershëm dhe jo ata që janë matrapazë dhe se falë listave të hapura, përmes votës qytetarët do të zgjedhin deputetët punëtorë dhe jo lëpirës ndaj kryetarëve të partive.

Hajdari shtoi se ndarja sot është mes të shkuarës dhe të ardhmes, ku nënvizoi se “E shkuara përfaqësohet nga kjo klasë dhe e ardhmja varet si do ta përdorim këtë ‘armë’, që këtë ndarje ta zhdukim. Ejani ta ndryshojmë këtë vend. Unë besova se ndryshimi do të ndodhte, luftova dhe me një armatë njerëzish ia dola, nëse bashkohemi të gjithë, do ta ndryshojmë Shqipërinë”. /a.y/noa.al