Pse femrat kanë nevojë më shumë se meshkujt për gjumë
Transmetuar më 30-07-2020, 09:34

Gjumi i femrave është shumë më ndryshe nga ai i meshkujve, kjo pasi studime të ndryshme, kanë provuar se gjinia e brishtë ka nevojë për më shumë orë për të pushuar.

Sipas një studimi të fundit ku u përfshinë 6000 persona, pjesa më e madhe e meshkujve deklaruan se ndiheshin të lodhur, pas një nate kur kishin fjetur më pak se shtatë orë. Ndërsa femrat u ankuan për lodhje edhe pasi fjetur 7 orë e gjysme.

Doktori francez Marc Rey, kreu i qendrës së gjumit dhe zgjimit në spitalin Timone në Marsejë, ju përgjigj këtij shqetësimi.

“Ka shumë arsye se pse femrat duhet të flenë më shumë. Shkak kryesor janë hormonet e tyre. Gjatë ciklit menstrual një femër manifeston një ndryshim të ndjeshëm në nivelet e estrogjeneve dhe progesteronit, duke shkaktuar periudha lodhjeje, mungesë gjumi apo gjumë me ndërprerje”, thotë ai, duke argumentuar nevojën më të madhe të femrës për të pushuar.

Lidhur me periudhën e shtatzënisë, mjeku nënvizon se nevoja për gjumë është më e madhe. Sipas tij, gjatë tre muajve të parë të shtatzënisë, niveli i progesteronit rrit ndjeshëm efektet e tij qetësuese, duke e bërë më të madhe nevojën për gjumë.

E njëjta gjë ndodh edhe gjatë tre muajve të fundit, ku progesteroni stimulon pagjumësinë, teksa edhe rëndesa në bark bëhet më e madhe.

Po ashtu edhe lindja e fëmijës shoqërohet me pagjumësi, për shkak të nevojës së fëmijës për tu ushqyer me gji dhe të qarave të foshnjës, shkruan noa.al.

Doktor Marc Rey thotë se edhe periudha e menopauzës është e karakterizuar me valë të nxehti dhe rënie të nivelit të estrogjeneve, mund të shkaktojë lodhje. /a.y/noa.al