Transmetuar më 29-07-2020, 17:42

Flasin bashkëshortet e dy ish-komisionerëve që u shpallën në kërkim nga SPAK edhe pse rezultojnë të vdekur.

Ndër emrat për të cilat SPAK ka kërkuar arrestin janë edhe dy personat që kanë ndërruar jetë, njëri në tetor dhe tjetri në dhjetor 2018.

Bëhet fjalë për Kasem Lalën, ish-komisioner i PS dhe Besim Bregu i PD të cilët nuk janë çregjistruar nga gjendja civile.

Bashkëshortja e Kasem Lalës, Mimoza Lala tha se bashkëshorti i saj ka 2 vite i vdekur dhe se në shtëpinë e saj nuk ka ardhur asnjë person apo dokument për arrestin.

Mimoza Lala: Burri im në tetor bën 2 vite që ka vdekur. Nuk e di tani se shteti e ka ditur shumë mirë, se të ishte gjallë do të vinte në shtëpi. Ai ka vdekur, nuk e di pse duhet ta nxirrte shteti. Te banesa jonë nuk kanë ardhur, por kur kanë ardhur te shtëpia e të tjerëve janë tmerruar se kanë ardhur në 4 të mëngjesit.

Të sillnin një fletë arresti për të tjerët. Mua nuk më ka ardhur gjë. Ky ka qenë komision, e ka vënë shteti. Se çfarë kanë bërë, nuk e di. Pse duhet të dalë shteti tani pas kaq vitesh që janë bërë votimet. Atëherë i kishte provat tamam. Sot vjen me polici në 4 të natës dhe tmerron gjithë miletin. Shteti duhet t’i kishte bërë verifikim. Të paktën të kishin respektuar vdekjes, të respektonin dhimbjen tonë.

Ndërsa bashkëshortja e Besim Bregut u shpreh se bashkëshorti i saj i vdekur prej dy vitesh she se është çregjistruar.

Bregu: Më 28 dhjetor 2018 është ndarë nga jeta, janë dokumentet të gjitha. Burri im është i çregjistruar, nuk e kuptoj sot pse thanë që nuk është. Unë brenda 40 ditëve kama bërë çregjistrimin dhe gjithë dokumentet. Dje thanë se u arrestua, sot thanë që janë dy veta të vdekur. Më duket se kanë qenë me PD-në.

Këta dy ish-komisionerë ishin dy prej 22 ish-komisionerëve për të cilët SPAK firmosi një ditë më parë urdhërarrestet për dosjen 339 që lidhet ma manipulimin e zgjedhjeve 2017.