Transmetuar më 28-07-2020, 17:27

Lajmin se është prekur e ka bërë me dije vetë Bledi me anë të një postimi në ‘Facebook’.

Ai tha se pavarësisht kujdesit, ka rezultuar sot pozitiv me Covid-19, teksa ka shtuar se po e kalon me simptoma të lehta.

Gazetari dhe moderatori i njohur Bledi Strakosha pranoi se ka rezultuar pozitiv me koronavirus. Por paralelisht disa media on line pretenduan, se ai edhe pse me COVID, emisionet e tij transmetohen.

"Nuk e di kush i ka këto mediat “serioze” që s’të bëjnë as një telefonatë. Emisionet “Me Bledin” vazhdojnë të transmetohen, por janë regjistruar kohë më parë", sqaroi moderatori, i cili pasi mësoi lajmin, është karantinuar.

Ndër të tjera Strakosha u ka bërë thirrje qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm, pasi rezultoi sot me COVID.

“Të dashur miq, pavarësisht kujdesit të shtuar, sot rezultova pozitiv me Covid-19. Ju lutem kujdesuni sa të mundeni për veten dhe të tjerët,” shkruan Strakosha në postimin e tij.

Ditën e sotme kanë rezutuar pozitiv me koronavirus figura të njohura të politikës si, Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj, deputetët e Kuvendit Ralf Gjoni, Elio Hysko dhe Enver Roshi.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Shëndetësisë, në 24 orët e fundit rezultuan poziutivë me koronavirus 117 persona, në vendin tonë.

/NOA.al