Transmetuar më 28-07-2020, 17:07

Talenti dhe arritjet e tij artistike, pas ’90 nuk morën asnjëherë vlerësimin që duhej, apo respektin më minimal që meritonte kolosi i muzikës shqiptare. Dhe është kjo ndoshta është sot një nga arsyet e katandisjes së artit dhe kulturës shqiptare.

Mjeshtrit e vërtetë ikën një e nga e një, pa marrë atë që meritonin, ndërsa të rinjtë e ditëve të sotme, për shkak të politikave të mbrapshta nuk patën fatin të mësonin sadopak prej tyre, dhe rrjellimisht sot nuk dinë asgjë se ç’është arti dhe kultura  e vërtetë. Mungesa e filmit dhe e këngëve, flasin vetë.

Sot nuk ka më as film dhe as muzikë, të nivelit artistik që prodhonte dikur Kujtim Laro.

Sot mbushen 16-vjet që është ndarë nga jeta kompozitori i madh Kujtim Laro!

Faqja në Facebook "Aktorët Shqiptarë", kënë bërë publike një artikull lidhur me të kaluarën e kompozitorit dhe artistit të madh. "Nderim dhe respekt për figurën e tij."

Ky mjeshtër i muzikës shqiptare, ky personalitet i padiskutueshëm i muzikës së filmit dhe muzikës së lehtë, pati një fillim të shkëlqyer e një fund të hidhur e dhimbshëm. U shua 16 vjet më parë, në një trishtim dhe dhimbje që vetëm ai e dinte e që nuk i përballoi dot, me atë shpirtin e tij të ndjeshëm.

Për fat të keq, vitet 90-të për të ishin vite të vështira. Nuk u vlerësua aq sa duhej, për të mos thënë fare, konsiderohej si “i majtë” dhe e luftonin me të gjitha mënyrat në SHQUP, ku punonte.

Probleme kishte edhe në familje, e shoqja u sëmur e u nda nga jeta para tij, jetonte në mënyrë modeste, kur meritonte miliona nga muzika e tij e mrekulleshme. Në dhomën e vogël të shtëpisë, të pajisur me piano, gjendeshin partiturat e operas së Dhora Lekës, mbi orkestrimin e së cilës po punonte, por që nuk ia doli dot ta shihte në skenën e TOB-it, pasi i mbylli sytë përpara. Shpesh kur e vizitonim në spital nuk i pranonte “qokat” e zakonshme të spitaleve, fruta e lëngje prej tyre, por ashtu nën buzë, kërkonte cigare. Vetëm ajo dukej sikur ia treste dhimbjen dhe frikën se mos humbte më shumë se ç’pat humbur deri atëherë”.

Kujtim Laro (1947-2004) u lind në 8 maj të vitit 1947 në qytetin e Vlorës. Studimet e larta i përfundoi në vitin 1970 në Institutin e Lartë të Arteve, më vonë shërbeu si pedagog për shumë vjet në Akademinë e Arteve. Ka punuar edhe si drejtor artistik pranë Ansamblit të Ushtrisë. Laro mbante titujt “Artist i Merituar” dhe “Naim Frashëri” i klasit të parë.

Kompozitori Kujtim Laro ka lënë pas rreth 35 kolona zanore filmash shqiptarë, dhjetëra këngë festivalesh, etj.. Në kujtesën e shqiptarëve ai mbahet mend më së tepërmi si kompozitor filmash. Firmën e tij mbajnë kolonat zanore të filmave të njohur, si “I teti në bronz”, “Në fillim të verës”, “Lulëkuqe mbi mure”, “Udha e shkronjave”, “Liri a vdekje”, “Nëntori i dytë”, “Militanti”, “Vendimi”, “Yjet e netëve të gjata”, “Nusja dhe shtetrrethimi”, “Partizani i vogël Velo”, “Fletë të bardha” etj.

Krijimi i tij i fundit ka qenë muzika e filmit “Lule të kuqe, lule të zeza”. Gjatë karrierës së tij, ka bashkëpunuar me regjisorët më të mirë shqiptarë, si Viktor Gjika, Dhimitër Anagnosti, Mevlan Shanaj, etj. dhe të gjithë ndihen të nderuar prej këtij bashkëpunimi dhe të ngushëlluar prej faktit që muzika e tij do të mbetet e gjallë në filmat e tyre.

Prej vitit 1975-së emërohet drejtor artistik i ansamblit të UP-së, detyrë që vazhdoi ta kryejë me shumë sukses deri në 1993, kur ky institucion artistik u mbyll. Puna 18-vjeçare në drejtimin artistik të ansamblit artistik të UP-së do t’i krijonte Kujtimit hapësira të reja. Nevojave për krijimtari të kësaj trupe, ai diti t’u përgjigjet më së miri e më se cilësisht. Ai u përshtat dhe u integrua plotësisht në profilin e ansamblit, ku vend të rëndësishëm zinte tema e mbrojtjes dhe atdheut. Kështu, në periudhën e ansamblit të UP-së ai krijoi mbi 16 tablo koreografike e ndër të cilat evidentohen: “Labëria”, “Bilbilenj të trembëdhjetë”, “Vëlla e motër”, “Yje për liri”, “Pesë heronjtë e Vigut” etj…

Periudhës krijuese në ansamblin e UP-së i takojnë me dhjetëra këngë, korale, kantata, përpunime, suita vokale etj…ndër të cilat shquhen: “Baladë për Selam Musanë”, “40 vjet shqiponjë e lirë”, “Baladë për Ismail Qemalin”, “Malet nuk tunden nga era” etj… Gjithashtu, kësaj periudhe i takojnë tre “Poema simfonike”, katër “Rapsodi”, “Koncerti nr.2 për violinë dhe orkestër”, një “Uverture”, e shumë krijime vokale e koreografike, si dhe muzikën e shumë filmave artistikë.

Kjo është periudha kur kompozitori Kujtim Laro shpalos energji të pashtershme krijuese. Ai aktivizohet me krijimtarinë e tij në konkurset kombëtare, në dekadat e majit në festivalet e këngës në RTSH, në kinemanë shqiptare etj…duke u bërë një nga krijuesit më aktivë në jetën muzikore shqiptare. Prej vitit 1993 deri sa i pushoi zemra së rrahuri para kohe, ai drejtoi artistikisht Shtëpinë Qendrore të UP-së. Këtu ai përsëri dha një kontribut të rëndësishëm për varietenë dhe orkestrën frymore të UP-së.

Pas viteve 1990, krijimtaria e Kujtim Laros kërkon rrugë e shprehje të reja. Ai bën përpjekje serioze për t’u integruar në zhvillimin muzikor-bashkëkohor. Një rol të madh në kurorëzimin e përpjekjeve të tij drejt të resë ka luajtur ISCM Albanian Section, duke aktivizuar Laron në aktivitetin “Vjeshta e Tiranës”, aktivitet i cili i dha drejtime të reja krijimtarisë muzikore të kompozitorëve shqiptarë. Kujtim Laro la pasuri të jashtëzakonshme, jo vetëm në fondin e artë të kolonave zanore të filmave, por edhe në arkivin e muzikës së lehtë shqiptare, me këngë si: “Buka e duarve tona”, “Gjurmë të arta”, “Lauresha”etj.

/NOA.al