


Policia thotë se ka zbardhur ekzekutimin e dyfishtë të ndodhur në vitin 2017, në Lushnjë, ku mbetën të vrarë me armë zjarri Zamir Latifi 23 vjç dhe Jurgen Hoxha 22 vjeç, si dhe u plagos dhe u plagos Marjus Xhepexhiu.
Nga hetimet e kryera u bë i mundur dokumentimi i ngjarjes së ndodhur në datën 11 tetor 2017, në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, ku ditën sotme u organizua operacioni i koduar “Sarava”, duke identifikuar tre autorët e dyshuar.
Ata janë Laert Haxhiu, 28 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, i dënuar më parë me 18 vite burgim, për veprat penale “Vrasja e mbetur në tentativë”, “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prishja e qetësisë publike”, si edhe me 3 muaj burg, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, i shpallur në kërkim.
-Orgest Bilbili, 30 vjeç, banues në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, i dënuar më parë me 7 vjet e 4 muaj burgim, për veprën penale “Trafik narkotikësh”;
-Anterio Kaloshi, 29 vjeç, banues në lagjen “Loni Dhamo”, Lushnjë, për të cilin Gjykata e Rrethit Gjyqësor Korçë ka caktuar më parë masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me dhunë” e kryer në bashkëpunim, i shpallur në kërkim.
Për Orgest Bilibilit u bë ekzekutimi i vendimit të datës 25 korrik 2020 në Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale Tiranë, ndërsa për shtetasit Laert Haxhiu dhe Anterio Kaloshi janë ushtruar disa kontrolle ambientesh, por nuk është bërë e mundur gjetja dhe kapja e tyre. Të dyshuarit janë shpallur në kërkim dhe vijon puna intensive për gjetjen dhe kapjen e tyre.
Gjithashtu, gjatë operacionit policor “Sarava”, nga ana e policisë së Lushnjës, Fier, Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë dhe forcat speciale RENEA janë ushtruar kontrolle në 13 banesa.
Nga kontrolli i këtyre banesave janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një armë gjahu teke, një sasi municioni luftarak, 30.000 dollarë amerikan, disa doza me lëndë narkotike të dyshuar kanabis sativa, 4 automjete dhe 16 aparate celularë.
Në lidhje me sendet e paligjshme të gjetura dhe të sekuestruara gjatë kontrolleve u proceduan penalisht shtetasit L. Z., 36 vjeç, R. Z., 23 vjeç dhe H. T., 17 vjeç.
Në drejtimin e Prokurorisë së Lushnjë vazhdojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





