Transmetuar më 28-07-2020, 14:23

Zbardhet vendimi i Gjykatës së Posaçme të Apelit, për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila vendosi kthimin për rigjykim nga e para të dosjes për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

Gjykatës e Posaçme e Apelit argumenton se Prokuroria është kontradiktore pasi ka ngritur akuzë të re ndaj Tahirit për kultivim të lëndëve narkotike.

Po ashtu cilësohet i gabuar vendimi i dhënë nga shkalla e parë e gjyqësorit, duke deklaruar se u gabua në rikualifikimin e veprës penale, ku Tahiri u akuzua për shpërdorim detyre.

Gjykata e Posaçme e Apelit argumenton gjithashtu se vendimi i gjykatës së Katanias në Itali, për pushimin e hetimeve ndaj Saimir Tahirit, nuk mund të merret si provë gjatë procesit gjyqësor, pasi nuk përmbush kushtet ligjore si i tillë.

Deklarohet po ashtu se nuk u provua përtej çdo dyshimi të arsyeshëm që marrëdhëniet mes të pandehurit Saimir Tahiri dhe të pandehurit në procedim të lidhur Moisi Habilaj të kenë qenë në nivelin e bashkëpunimit për kryerjen e trafikimit të narkotikëve.

Ndër të tjera, gjykata vërën situata të pashpjegueshme plotësisht nisur nga funksioni publik i rëndësishëm i ministrit të Brendshëm që ka mbajtur i pandehuri Saimir Tahiri, në periudhën respektive, të cilat nuk gjejnë argumentim e dalin tej kuadrit të marrëdhënieve të farefisnisë së largët që ka pohuar vetë i pandehuri.

Saimir Tahiri është akuzuar si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë dhe se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal.

Ish-ministri u shpall fajtor dhe u dënua në shkallën e parë, vetëm për shpërdorim detyre me 3 vite e 4 muaj shërbim prove, duke u akuzuar se nuk kishte marrë masa për parandalimin e kanabizimit të vendit dhe nën akuzën e përfshirjes së efektivëve të policisë në këtë aktivitet kriminal. Mirëpo ky vendim u rrëzua në Apel, duke e rikthyer dosjen për rishqyrtim. /a.y/noa.al

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd