Transmetuar më 28-07-2020, 11:23

Në oborrin e Kryeministrisë në qendër të Tiranës gjenden trupat e rreth 50 personave të vdekur 80 vjet më parë. Pohimi vjen nga studiuesi Marenglen Kasmi i cili në një intervistë me gazetarin Roland Qafoku, bëri publik faktin që oborri i godinës së kryeministrisë është një varr me ushtarë gjermanë të vrarë gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Sipas tij, godina e kryeministrisë që në fakt u ndërtua gjatë pushtimit italian, u përdor si spital gjatë pushtimit gjerman. Kasmi zbulon se ushtarët që vdisnin në spital varroseshin pikërisht në atë oborr.

Janë bërë kërkime dhe sipas Kasmit duhet të bëhet zhvarrimi i trupave.

-Ka varrezë tjetër me ushtarë gjermanë?

Në Tiranë kanë qenë dy varreza të mëdha ushtarësh gjermanë. Më e madhja ka qenë të "Varri i Bamit", varrezat civile, por që është zhdukur. Një varrezë tjetër po ashtu, unë e besoj edhe sot e kësaj dite që në oborrin e pasëm të kryeministrisë, tek ajo lëndina, ka ushtarë gjermanë të varrosur. Sepse ka qenë spitali ushtarak. Pjesa e lëndinës që është mbrapa, aty duhet të ketë ushtarë gjermanë të varrosur.

-Sa mund të jetë numri?

-Godina e Kryeministrisë në atë kohë ka qenë Spitali Ushtarak dhe ata që vdisnin, varroseshin atje…

-A duhet të zhvarrosen ata?

-Patjetër që po.

-Sa mund të jenë përafërsisht?

-Disa dhjetëra. Rreth 50…"