Arabia Saudite përgatitet për haxhin në Mekë, vetëm 10 mijë njerëz nga mbi 2 milionë që shkojnë çdo vit
Transmetuar më 28-07-2020, 11:05

Mekë – Autoritetet saudite njoftuan mbërritjen e haxhinjëve në qytetin e shenjtë të Mekës për haxhin vjetor. Agjencia zyrtare e lajmeve SPA publikoi fotografi të haxhinjve që mbërrinin në qytet, disa ditë para fillimit të këtij rituali.

SPA tha se Ministria e Çështjeve Islame ka përfunduar përgatitjet për të mirëpritur haxhinjtë në përputhje me protokollet shëndetësore për të frenuar përhapjen e koronavirusit të ri (COVID-19).

Muajin e kaluar, autoritetet saudite njoftuan se më pak se 10 mijë besimtarë do të lejohen të kryejnë haxhin këtë vit për shkak të pandemisë.

Sipas protokolleve shëndetësore të shpallura nga Rijadi, mbajtja e maskës do të jetë e detyrueshme për haxhinjtë gjatë këtij rituali dhe hyrja në vendet e shenjta nuk lejohet pa leje.

Protokollet e shpallura nga Qendra për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve përcaktojnë se haxhinjtë duhet të mbajnë rregullat e distancës fizike gjatë lutjeve dhe ritualeve dhe të shmangin grumbullimin.

Me masat e reja haxhinjtë nuk do të lejohen të prekin Qaben këtë vit.

Haxhinjtë do të ngjiten në malin Arafat, i cili shënon kulmin e haxhit, më 30 korrik.

Vitin e kaluar, rreth 2.4 milionë haxhinjë kryen haxhin, tregojnë të dhënat zyrtare.

Arabia Saudite deri më tani ka regjistruar 266.772 infeksione, përfshirë 2.733 vdekje dhe 215.731 të shëruar. Në fotogaleri shihni pamje të orëve të fundit nga Meka.