
Ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe ai i Bashkimit Europian, Luigi Soreca i kanë shkuar paraditen e sotme në zyrë Kryeministrit Edi Rama.
Ky takim mes diplomatëve të nivelit të lartë me kreun e qeverisë, vjen në një kohë që diskutohen ndryshimet kushtetuese, të cilat parashikojnë lista të hapura në zgjedhje dhe mos lejimin e koalicioneve parazgjedhore.
Takimi mes kryediplomatëve dhe kreut të qeverisë, zgjati afro një orë.
Mësohet se ambasadorja Kim mirëpriti vazhdimin e diskutimeve të ndërsjellta në Këshillin Politik në lidhje me ndryshimet kushtetuese.
Sakaq takimi mbahet paralelisht me seancën parlamentare, ku diskutohet raporti i komisionit hetimor për Presidentin Ilir Meta, “Për kontrollin e ligjshmërisë së veprimeve të kryera nga ana e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, në kuadër të ushtrimit të kompetencave të tij lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore si dhe për të kontrolluar e ligjshmërinë e veprimeve dhe procedurës të ndjekur nga Presidenti i Republikës në kuadër të emërimit të gjyqtarëve kushtetues”.
Gjithçka pasi Presidenti shtyu zgjedhjet lokale të 30 qershorit, ku shumica e hetoi për shkelje të ligjit dhe shpërdorim detyre, por në fund u tërhoq nga shkarkimi. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





