PËR HERË TË PARË/ Çfarë ndodh me të intubuarit tek Infektivi në QSUT, si mbahen me frymëmarrje artificiale mes jetës dhe vdekjes
Transmetuar më 27-07-2020, 00:27

Virusi i rrezikshëm COVID-19, i cili çdo ditë e më shumë përforcohet bindja se u krijua në laborator, ka depërtuar ndjeshëm në Shqipëri dhe ka shkaktuar kalimin në frymëmarrje të drejtuar të disa qindra qytetarëve, mes të cilëve mbi 130 vetë kanë vdekur.

Ermand Mertenika, Inxhinieri i pajisjeve mjekësore, konkretisht respiratorëve në dy spitalet Covid, në këtë rrëfim të gjatë për lexuesit e agjencisë së lajmeve NOA, flet me detaje, çfarë ndodh në repartet e terapisë intensive Covid 1 dhe Covid 2.

Ai prej mëse katër muajsh gjendet pikërisht atje ku ndodhen pacientët e intubuar dhe tregon se faktikisht ata janë aty mes jetës dhe vdekjes, me frymëmarrje artificiale si shans i fundit i mbijetesës ose jo nga koronavirusi shkatërrimtar i mushkërive.

Lexoni më poshtë detajet që rrëfen inxhinieri 

"Njeriu lufton për jetën e tij… Shpresa është ajo që vdes e fundit. Kjo është pikërisht ajo që kanë përjetuar shumë pacientë në këtë kohë pandemie dhe që vazhdojnë të përjetojnë në Shqipëri dhe në mbarë globin, por tashmë në një trajtë më të lehtë pasi aktiviteti i Covid është dobësuar në këto momente." Kështu shprehet Ermand Mertenika, inxhinier i pajisjeve respiratore në dy spitalet Covid në Shqipëri, tek Infektivi dhe "Shefqet Ndroqi", i cili prej muajsh ka ndjekur dhe parë nga afër emergjencën që ka krijuar pandemia në vendin tonë.

Sipas tij, situata deri diku në Shqipëri dhe në botë është qetësuar dhe ka një rënie të ndjeshme të personave të cilët kalojnë në gjendje emergjente për jetën.

Pamje që publikohet për herë të parë, të intubuarit në spitalin COVID1 në QSUT

Prej fillimit të pandemisë, ai qëndron pranë mjekëve dhe pacientëve të infektuar me Covid-19 dhe kjo ka bërë që të jetë një njohës i mirë i rrezikut që i shkakton mushkërive ky virus.

"Covid-19 është një virus agresiv dhe specifik pra tenton të shkatërrojë mushkëritë e pacientëve pra njësitë më të vogla të mushkërive të cilat quhen Alveolë, aty pikërisht ndodh kalimi i oksigjenit në gjak. Pra Covid-19 "pushton" hapësirën e alveolave dhe kjo do të thotë që bllokon transferimin e oksigjenit në gjak dhe si rezultat i kësaj të fundit kur patologjia përshkallëzohet pra përkeqësohet, atëherë mushkëritë dalin jashtë funksionit dhe pacienti kalon në vdekje klinike. Për të evituar që pacienti mos të kalojë në vdekje klinike atëherë përdoren aparaturat që e mbajnë në jetë pacientin në mënyrë artificiale pra ventilatorët e reanimacioni ose respiratorët (mushkëritë artificiale).", thotë inxhinieri Mertenika.

Sa i përket respiratorëve, në fillim të pandemisë numëroheshin mbi 30 të tillë në spitalet Covid ndërsa aktualisht janë më shumë se 50 dhe të tjerë pritet që të vijnë jo vetëm për pacientët me Covid por dhe për pacientë të cilët kanë patologji të tjera.

"Momentalisht kapaciteti i respiratorëve e përballon situatën e pandemisë", thotë Mertenika ndërsa shpjegon mënyrën sesi funksionojnë këto aparatura të cilat mbajnë në jetë të infektuarit në gjendje të rëndë.

"Respiratorët, pra mushkëritë artificiale e thënë më shqip, funksionojne në dy shkallë:

-Në ventilim me maskë pra kur pacienti ka nevojë për më shumë oksigjen pasi mushkëritë e tij nuk ndodhen në gjendjen e fundit akute.

-Me respirim invaziv pra, aplikimi i strukturës invavize kur gjendja e mushkërive të pacientëve janë në situatë akute pra në gjendjen e fundit.

Respirimi invaziv ka të bëjë me vendosjen e një tubi endo-trakeal ku në fund ka një mini-balonë e cila bllokon ezofagun e pacientit. Ky tub vendoset me anë të një pajisjeje që quhet Laringoskop.

Pjesa e jashtme e tubit lidhet më pas me respiratorin, ku ky i fundit është i programuar të luajë rolin e një mushkërie artificiale pra cikli spirometrik i frymëshkëmbimit.

Kuptohet që pacientëve të cilëve u aplikohet shkalla e intubimit janë në gjendje të rëndë për jetën dhe aty ndodhet pikërisht limiti midis jetës dhe vdekjes."

Duke qenë i pranishëm në ambientet e spitaleve gjatë katër muajve të fundit, inxhinieri kujton fillimet e pandemisë, emocionet dhe frikën që e përfshinte kur shikonte pacientët, jeta e të cilëve mbahej përmes aparaturave.

"Në fillimet e pandemisë situata ishte shumë e vështirë dhe të ngjallte emocion dhe frikë, pasi ti sheh pacientët që marrin frymë artificialisht nga aparaturat sepse mushkëritë e tyre shkatërrohen nga ky vrus. E gjithë kjo është diçka vërtetë shumë emocionale dhe e paharruar por fatmirësisht Covid është dekrementuar dhe kemi situatë të qetësuar.", thotë ai, ndërsa pyetjes se a ndihej i rrezikuar se mund të infektohej edhe vetë gjatë atyre momenteve ndonëse vishej me mjetet mbrojtëse të mjekut, i përgjigjet:

"Sigurisht dhe pavarësisht veshjeve sterile të cilët aplikohen përpara se të futem në zonën e kuqe ekziston mundësia e infektimit pasi Covid qarkullon kudo dhe duke patur parasysh që përmasat e virust janë të rendit nanometrik, kjo do të thotë që pesha e tij është aq e vogël saqë ky virus për një kohë relativisht të gjatë rri në ajër dhe pikërisht maskat janë të rëndësishme sepse nuk lejojnë futjen e këtyre viruseve nga rrugët respiratore. Covid-19 në bazë të pështypjes time bio-inxhinierike është një virus laboratorik i krijuar artificialisht. Pandemia që po kalojmë ka marrë jetë njerëzish me shpejtësi të madhe dhe pa u kursyer, aq më tepër në botë ku qindra e mijëra persona humbën jetën nga ky armik ekstrem i padukshëm dhe kjo do të mbetet një shenjë dhe një mesazh i fortë për njerëzimin."

E duke u ndalur te mesazhet, në fund Mertenika ka diçka për t’iu thënë të pabindurve siç i quan ai:

"Unë i dua t’i jap një ultimatum të pabindurve: Virusi Covid, ky armik i padukshëm po bashkëjeton me ne dhe vazhdon të jetë i rrezikshëm. Respektoni distancën fziko-sociale, desinfektoni shpesh herë duart dhe në ambiente kolektive mbani maskën. Nuk përjashtohet rikthimi i potencialit të këtij virusi. Mosrespektimi i rregullave mund ta sjellë 100% valën e dytë shkatërruese të Covid-19.

Fakt është se qytetarët vazhdojnë të mos respektojne rregullat e distancimit social dhe kjo mund te jetë një faze inicimi perseri të zinxhirit te Covid-19. Ne fakt kohet e fundit po shikojme nje rritje të lartë të infektimeve. /noa.al/