“Përse nuk lejohen gazetarët brenda Infektivit dhe me çfarë kurohen pacientët e shtruar në spital”
Transmetuar më 26-07-2020, 08:34

Testo-gjurmo-trajto, kaq e vështirë është?

Analizë nga mjeku Artan Koni:

Testimet – Mbetemi akoma vendi me numrin më të ulët të testimeve në rajon: 10.906 testime për 1 milion banor. Vendet e rajonit kanë kryer 4 deri në 6 herë më shume testime. Na u desh 4 muaj për të ngritur një laborator të ri në QSUT, ndërkohë që kishim laboratorë ekzistues të cilët mund të përshtateshin… e megjithatë jemi përsëri shumë prapa në lidhje me testimet.

Edhe sa kohe na duhet të rrisim numrin e testimeve? Nëse do na duhet edhe 6 muaj, nuk ka më nevojë per testime, dihet rezultati.

Gjurmimet – Del pozitiv një staf mjekësor dhe nuk i bëhet test as kolegëve të tyre, jo më të bëhet gjurmimi i familjarëve apo komshinjve, me të cilët mund të ketë pasur kontakt. Nuk i bëhet gjurmim stafit mjekesor, si mund të presim t’i bëhet pacienteve të thjeshtë? Komiteti teknik e justifikon këtë strategji me kriteret që duhet të përmbushë personi për t’u bërë pjesë e gjurmimit… por ato kritere janë bërë më shumë, për të mos gjurmuar fare, se sa për ta shtrirë gjurmimin sa më gjerë të  jetë e mundur. Përveç kësaj, këto kritere gjurmimi nuk janë të OBSH-së, por janë vendosur nga ky komitet. OBSH nuk të tërheq veshin nëse gjurmon sa më shumë të jetë e mundur, biles as kur gjurmon pak… vendi yt është fundja. Kur nuk do t’ia dijë ministria përkatëse, përse duhet t’i interesojë botës?

Trajtimet – Me gjithë censurën dhe centralizimin e informacionit, rastet e pa-trajtuara u bënë aq shumë sa nuk mbulohen dot më me shoshë. Përditë dëgjojmë raste të cilat nuk pranohen nëpër spitale pa arritur gjendjen kritike. Përditë dëgjojmë raste të cilat trajtohen në distancë nëpërmjet telefonit. Ku qëndron problemi, nuk kemi shtretër? Nuk kemi staf? Nuk kemi ilaçe? Dhe më e rëndësishmja: me çfarë kurohen pacientët e shtruar në spital, a ka një protokoll? Apo kurohen me çfare ilaçesh te ketë gjendje për momentin? Do ishte e dobishme që komiteti teknik të publikonte protokollin e kurimit, duke përgenjeshtruar kështu fotot, sipas të cilave pacientët kurohen me ujë Lajthiza intravenoz.

Nëse Vilma me PPP-të e saj të famshme e paska përmirësuar ndjeshëm shëndetësinë shqiptare, përse iku me ‘charter’ për t’u kururar jashtë??

Ministria krenohej se kishte 130 respiratore, nuk paska pasur 1 per Vilmen? Apo na u prishen gjate ketyre 4 muajve? Sa respiratore kemi per momentin, di gje ministria??

Ministria na bombardoi pëer 7 vjet radhazi me foto të ambjenteve spitalore të rinovuara me standartet më të larta europiane, nuk paska pasur 1 dhomë të hajrit për Vilmën? Apo i ka rënë suvaja? Përse nuk lejon ministria gazetarët të futen e të bëjnë herë pas herë kronikat e tyre? Po pse, me pamje të gatshme që i ofron mediave do thotë ministria “po e pasqyrojmë gjendjen brenda spitaleve”?

Ka vetëm 1 shpjegim llogjik të gjithë kësaj situate kaotike: PPP-të morën shumicën dërrmuese të parave publike, dhe tani nuk kemi para për t’iu përgjigjur siç duhet pandemisë. Ministrja ta pranojë këtë fakt, dhe të paktën të heqë nga vetja barrën e menaxhimit skandaloz të kësaj pandemie, sepse të gjithë e kanë të qartë që pa para, nuk menaxhohet situata.

Një drejtues i përgjegjshëm ideon dhe zbaton politika shëndetësore, nuk del e i merr punën zëdhenësve për shtyp, me shpresën se do përmirësojë imazhin nëse na shfaqet në ekran mëngjes-drekë-darkë. Një drejtues i përgjegjshëm duhet të anulojë menjëherë të gjitha PPP-të jo të domosdoshme, përndryshe humnera e shëndetit publik do thellohet dita-ditës!

/NOA.al