Transmetuar më 25-07-2020, 20:03

Nga Eduard Zaloshnja

Për muaj të tërë, OJQ të ndryshme, parti të reja, opinionistë dhe deputetë të opozitës parlamentare i kanë rënë fort burive të listave të hapura për zgjedhjet e ardhëshme. Partizanët e këtyre listave i mëshonin idesë se votuesit duhet të zgjedhin vetë se cilët kandidatë për deputetë duhet të shkojnë në Kuvend, e jo të dërgojnë atje lista të përgatitura nga kryetarët e partive, si ushqim i parapaketuar.

Si rezultat i ekspozimt të gjerë të opinionit publik me idenë e listave të hapura, një sondazh statistikor i publikuar nga IDRA tregonte se 75% e shqiptarëve ishin pro listave të hapura (pavarsisht se nuk e kishin shumë të qartë se si do të realizoheshin ato). Të armatosur me rezultatin e atij sondazhi, 28 deputetë të Kuvendit bënë kërkesë zyrtare për një ndryshim të Kushtetutës, që do të mundësonte listat e hapura.

PS-ja e pranoi kërkesën e 28 deputetëve, por me kushtin që listat të ishin pjesërisht të hapura (për t’i dhënë mundësi partive të dërgojnë në Kuvend aq femra sa të plotësohet kuota gjinore 1/3). Gjithashtu, PS-ja kërkoi që në Kushtetutë të pengohen koalicionet paraelektorale shumë-listore, për shkak të vështirësive që do të sillte në administrim një fletë votimi me lista të hapura dhe njëkohësisht me koalicione paraelektorale shumë-listore.

Por një model flete votimi i publikuar sot nga Oerd Bylykbashi, kryenegociatori elektoral i PD-së, demonstron se votimi me lista të hapura e koalicione paraelektorale shumë-listore mund të realizohet fare thjeshtë edhe në qarkun e madh të Tiranës, me plot 34 deputetë (shihni modelin bashkëngjitur). Ndërsa problemi i kuotave gjinore, sipas Bylykbashit, mund të realizohet gjatë numërimit të votave, përmes  mekanizmit të thjeshtë të diskriminimit pozitiv për femrat. Në këtë mënyrë relaizohet votimi me lista të hapura 100%, e jo pjesërisht…

Duket se ka ardhur koha që zëri i shqiptarëve të dëgjohet plotësisht – përmes një flete të thjeshtë votimi.

/NOA.al