
Pasi Kolegji i Posaçëm i Apelimit vendosi këtë të premte pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Luan Daci, hidhet shorti për pesë çështjet e tij të cilat ishin në proces shqyrtimi.
Kështu, ai është zëvendësuar nga KPA, nga ish-kryeprorkurorja Ina Rama.
Zëvendësimi i tij vjen lidhur me çështjet e shqyrtuara në ngarkim të Donika Prelës, Roland Jaupaj, Genci Sinjarit, Regleta Panajoti dhe Dritan Pekës, të cilat ishin parashikuar për tu shqyrtuar gjatë muajit korrik dhe shtator.
Gjyqtari Luan Daci është marrë i pandehur pasi SPAK, ka regjistruar procedimin penal Nr.56, viti 2020 për veprën penale ‘Falsifikimi i dokumenteve’.
Nga veprimet hetimore të kryera lidhur me këtë procedim penal është provuar se Luan Daci, me funksion Gjyqtar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, në aplikimin e kryer prej tij në datën 3 shkurt 2017 për t’u emëruar në funksionin e mësipërm, ka paraqitur rrethana të rreme, duke mos deklaruar faktin se ndaj tij është marrë më parë masa disiplinore “largim nga puna”.
Luan Daci në vitet 1994-1997 ka ushtruar funksionin e Gjyqtarit në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pas propozimit të Ministrit të Drejtësisë, me vendimin Nr.6, datë 24.12.1997, në nenin 1 të tij, ka vendosur: “Z.Luan Daci, largohet nga detyra e gjyqtarit për shkelje të ligjit dhe paaftësi në detyrë”. /a.y/noa.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





