Ilaçet shumë të shtrenjta, Trump urdhëron uljen e tyre. Dhe një shënim për Shqipërinë që vuan dyfish
Transmetuar më 25-07-2020, 09:44

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka nënshkruar të premten katër urdhëra ekzekutivë për të ulur çmimet e barnave në vend.

"Katër urdhërat që po nënshkruaj sot do të rikonstruktojnë tërësisht tregun farmaceutik”, tha Trump, i cili kishte kritikuar në vazhdimësi çmimet tejet të larta të barnave.

Ky vendim mundëson edhe importin e barnave më të lira nga vendet tjera.

Analistët e kanë kritikuar këtë vendim duke theksuar se nuk do të ketë shumë efekt.

Që kur Trump kishte marrë mandatin ai kishte kritikuar çmimet e larta në tregun farmaceutik dhe kishte paralajmëruar hapa radikalë për të ulur çmimet.

Zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara do të mbahen në nëntor të këtij viti. Kritikët kanë theksuar se këto vendime vështirë se mund të hyjnë në fuqi deri në atë kohë.

Shqipëria, në hall të madh jo vetëm për çmimet, por dhe cilësinë mjerane

Ndërsa në SHBA çmimet po ulen, cilësia mbetet e lartë. Në fakt nuk ka qenë kurrë e dobët, deri edhe për barnat më të lira e më të thjeshta.

Në Shqipëri, është një realitet tjetër, i zymtë deri në fatalitet. Janë një tufë me depo dhe kompani farmaceutike që ca prodhojnë, ca importojnë dhe ca të tjera madje ambalazhojnë turli lloj ilaçesh duke ua shitur shqiptarëve si sapunin për djathë.

Janë me mijëra, pohimet e qytetarëve për ilaçet që blejnë në këtë vend mjeran ku shteti është në gjumë dhe të njëjtat produkte e marka, nëse i blejnë tek fqinjët si Greqia e gjetkë, janë kryekëput të ndryshme. Deri dhe një paracetamol apo shurup e gjen shumë më lirë dhe vërtet cilësor e shërues, mjaft që të mos e blesh në Shqipëri.

Farmacitë po korrin frytet e papërgjegjshmërisë së shtetit dhe kompanive duke shitur ilaçet edhe pa pulla fiskale, me çmime shumë të shtrenjta dhe cilësi mjerane. Ndaj shumë nga ne blejnë ilaçet jashtë apo porosisin tua sjellin të afërm e miq vetëm që mos blejnë palo ilaçe në Shqipëri.

Shumë nga ju që po lexoni këtë shkrim e keni hasur këtë shqetësim të dyfishtë të çmimit abuziv dhe cilësisë shqetësuese, por ky problem bëhet i trefishtë kur mendon se kjo gjendje ka pak shpresa të ndryshojë, pasi tentakulat e depove farmaceutike janë ngulur thellë sikurse do të ndiqni një raport investigues e vëzhgimor pas pak ditësh. /noa.al/

Loading...