
Parlamenti votoi këtë të mërkurë 23 korrik me një shumicë dërrmuese (99 vota në favor, 6 kundër dhe 4 abstenime) ndryshimet në Kodin zgjedhor të dakortësuara më 5 Qershor mes Partisë Socialiste dhe Opozitës së Bashkuar.
Kryeministri Edi Rama deklaroi në sallë se shumica nuk po votonte me zemër, por si shenjë e një kompromisi të nevojshëm, duke njohur se demokratët dhe aleatët e tyre janë një realitet politik i pamohueshëm. “Unë sot do shtyp butonin për Bashën, jo për veten time. Gjithë deputetët e PS do shtypin butonin për ata që mungojnë, jo se ishte gjëja që na intereson më shumë, dhe se kjo është gjëja që ne morëm në këtë negociatë. Ne nuk morrëm asgjë. Në këtë negociatë kemi bërë vetëm një gjë. U kemi thënë, çfarë të doni ju, shkruajeni”, deklaroi kryeministri.
Rama, njoftoi se ndryshimet kushtetuese do të votohen javën e ardhshme në Parlament. Demokratët dhe aletatë e tyre e kanë kundërshtuar me forcë një akt të tillë që sipas tyre do të ketë pasoja të paparashikueshme për stabilitetin politik të vendit, duke folur për një vendim të njëanshëm.
Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë njoftoi se Shtetet e Bashkuara mirëpresin miratimin nga Parlamenti të legjislacionit për reformën zgjedhore që kodifikon marrëveshjen e 5 qershorit të Këshillit Politik për Reformën Zgjedhore. Ata kërkojnë që kjo mënyrë gjithëpërfshirëse dhe transparente duhet të jetë një normë për ndërmarrjen e akteve të rëndësishme kombëtare, duke paralajmëruar kështu se nuk do të pranojnë ndryshime të njëanshme.
Edhe Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe Delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë vlerësuan miratimin nga Parlamenti të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor, në përputhje me marrëveshjen politike të arritur më 5 qershor. Kjo përmbush një nga kushtet kryesore për të filluar negociatat e anëtarësimit në BE, siç thuhet në konkluzionet e Këshillit të 25 marsit 2020, paralajmëroi z.Soreca duke qartësuar se çdo ndryshim tjetër i mundshëm duhet të përfshijë opozitën reale.
"Ne nxisim të gjitha palët të vazhdojnë diskutimet në Këshillin Politik me të njëjtën frymë gjithëpërfshirëse dhe bashkëpunuese të treguar gjatë miratimit të marrëveshjes politike të 5 qershorit. Procesi që çon në ndryshimet shtesë nuk duhet të dëmtojë frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit", tha Ambasadori i Bashkimit Evropian Luigi Soreca.
Pra siç shihet, në reagimet, si të ambasadës amerikane ashtu dhe të përfaqësuesve europianë, nuk janë lënë jashtë vëmendjes, ndryshimet e pritshme kushtetuese. Sipas ambasadës së SHBA-ve “mënyra gjithëpërfshirëse dhe transparente”, me të cilën u realizua Marrëveshja e 5 qershorit “duhet të jetë një normë për ndërmarrjen e akteve të rëndësishme kombëtare”.
Kurse Delegacioni i Bashkimit Europian është dhe më i drejtpërdrejtë kur thotë se
"procesi që çon në ndryshimet shtesë nuk duhet të dëmtojë frymën dhe rezultatet e marrëveshjes së 5 qershorit”. Në të njejtën linjë, u shpreh për këtë çështje dhe komisioneri Varhelyi.
Kryeministri Edi Rama u angazhua personalisht në Këshillin politik, të mbledhur tre ditë më parë, ndërkohë që opozita e vërtetë nuk mori pjesë në këto takime të Këshillit. Rama paralajmëroi se nuk do të presë pa fund. “Nëse do duan të rrinë jashtë, ju siguroj se ne nuk do përpiqemi t’i sjellim brenda. Dakortësia mes forcave parlamentare votohet në 30 korrik. Padiskutim”, deklaroi Rama në Parlament, duke ripërsëritur qëndrimin se as ndërhyrje të mundshme ndërkombëtare nuk do ta bëjnë të ndryshojë mendje në këtë rast.
“Kur ne kemi vetëdijen se po bëjmë gjënë e duhur për Shqipërinë e shqiptarët jemi të gatshm që mosdakortësitë dhe me miqtë e partnerët t’i diskutojmë pa u tërhequr nëse nuk na bindin. Kur vjen puna do hapim lista ose jo, më vjen keq, këtë e vendosim ne, se pastaj do ishte fundi. Dhe nuk kemi asnjë problem ta diskutojmë e t’ua themi, siç besoj do ta bëjmë nëse do të jetë e nevojshme, por nuk do jetë për një kohë të gjatë. Ky parlament do hapë listat me 30 korrik”, theksoi kryeministri Rama duke u deklaruar për herë të parë, fare hapur se do ti shpërfillës ndërkombëtarët.
Për Opozitën e Bashkuar “miratimi i sotëm i Marrëveshjes së 5 Qershorit pa ndryshime, dhe pa ndryshime kushtetuese të njëanshme që e minojnë atë, si dhe vijimi i dialogut politik mes palëve, është rruga e vetme për të ruajtur konsensusin e arritur, që është mbajtur shënim nga partnerët dhe shton shanset për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian”, shprehet në një deklaratë të përbashkët Partia Demokratike dhe aleatët e saj.
“Opozita e Bashkuar është e gatshme të vijojë dialogun në mirëbesim dhe me seriozitet, për çdo çështje tjetër, pa cënuar rezultatet e Marrëveshjes së 5 Qershorit. Heqja dorë nga aktet e njëanshme që minojnë konsensusin e arritur pas 6 muajve përpjekje, dhe angazhimi i të gjitha partive politike për të arritur konsensus për çdo çështje që lidhet me zgjedhjet, i shërben Shqipërisë dhe të ardhmes së saj europiane”, përfundon deklarata.
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





