
Poeti Arben Duka, si përherë në vargje shkroi sot në rubrikën e tij në DITA se në bisedat me drejtues të PS i është thënë që Rama do ta lëshojë pushtetin vetë në 2021, pasi kështu duan ndërkombëtarët.
Poeti i njohur për qëndrimet e tij pro së majtës shpreh dyshimin si mund të ndodhë kjo, nëse elektorati rivoton PS-në.
Sot Kuvendi miratoi marrëveshjen e 5 qershorit, marrëveshje që u përshëndet gjerësisht nga ndërkombëtarët, ndërsa kryeministri Rama u shpreh se është gati të shtypë butonin për Bashën.
Më poshtë pjesë nga vargjet e poetit Arben Duka:
Për zgjedhjet e reja,
tani diskutojmë,
më thosh dje një “shef”,
vetë do ta dorëzojmë!
Ky shefi që flisja,
dhe po flas tani,
me poste të larta,
është në Qeveri!
Që tani i ngrati,
fare qe dorëzuar,
sepse sipas tij,
bota ka urdhëruar!
Ka urdhëruar Ramën,
që të lërë pushtetin,
kështu miku im,
tirrte muhabetin!
S’e kuptoj thashë unë,
si urdhëroka bota,
kur pushteti merret,
dhe lihet me vota!
Vërtetë që Edvini,
e bëri me gjizë,
po bazë e partisë,
s’lëviz e s’lëviz!
Se kush vjen pas Ramës,
ata sa mendojnë,
shkojnë dhe symbyllur,
për PS-në votojnë!
Është fakt që Rilindja,
qeveris për dreq,
po ata përballë,
janë keq e më keq!
Janë keq e më keq,
thjesht nuk vënë kapistër,
mendo Luli Bashën,
si kryeministër!
Po ende s’e dimë,
si është e vërteta,
nëse Rama do,
zyrën që ka Meta!
Lulashi na tha,
për këtë pazar,
se i ka dërguar,
Rama emisarë!
Natyrisht që Rama,
këtë s’e pranoi,
Por kush janë emisarët,
Lulit s’ja kërkoi!
Nëse të thotë bota,
shko e bëj pushime,
atëherë unë pyes:
“Pse bëhen votime!?.”
Shprehja e Stalinit,
rastit fort i shkon,
se s’ka vlerë votimi,
po kush numëron!
Rama-mandat t’jetër,
s’mund të meritojë
Po sikur Sovrani,
sërish ta votojë!?
Fjalëzën: “Sikur”,
unë e përdor kot,
se hambar i majtë,
gjithmonë është plot!
Janë nja pesqind mijë,
që dy herë s’mendojnë,
për inat të SHQUPIT,
Ramën prapë votojnë!
Në Sovrani-Ramës,
votën do t’ja hedhi,
votat e PS-së,
cili do t’i “vjedhi”?!
Meqë i kanë thënë,
krahun të lirojë,
vota e PS-së,
në PD do shkojë!
Kandiles së Lulit,
do t’i hedhin vaj,
por them se kjo punë,
s’bëhet kaq kollaj!
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





