Transmetuar më 23-07-2020, 19:44

Kreu i Grupit Parlamentar Socialist, Taulant Balla, pas bërjes publike të një artikulli se a ka blerë një godinë afër qendrës së Tiranës për 1.8 milion euro, i është drejtuar sot djalit të ish-kryeministrit Sali Berisha me fjalët: Zen, ke gjë për të thënë?

Balla bëri publike një artikull, që u botua sot, në të cilën djali i ish-kryeministrit, që punon si konsulent, ka blerë kohët e fundit një godinë, në afërsi të Tiranës, me një çmim prej 1.8 milionë euro.

Sipas artikullit të cilit i referohet Balla, thuhet se pagesa është likuiduar menjëherë nga Shkëlzen Berisha, nëpërmjet një banke të nivelit të dytë.

"Apo shpifje nga ato që pastaj në gjykatë dalin ndryshe edhe kjo? Eh mor Zen! Babi dhe Luli qajnë për ekonominë dhe kërkojnë pagë lufte, ty Covid-19 të paska shtu pasurinë. Eh mor Zen, eh!", i është drejtuar Taulant Balla përmes një statusi në Facebook, djalit të ish-kryeministrit.

Por çfarë thotë artikulli të cilit i referohet kreu i Grupit Parlamentar, Taulant Balla?

Gjatë qeverisjes së Sali Berishës, emri i djalit të tij, Shkëlzenit, ishte më i lakuari për afera të ndryshme që nisnin nga historitë e Gërdecit e deri tek pazaret me ARMO-n dhe koncesionin e markimit të karburanteve.

Përgjatë 15 viteve të fundit, askush nuk e di se çfarë pune ka bërë djali i ish-kryeministrit. Por zërat flasin se Shkëlzen Berisha ka punuar shumë pak, ose aspak dhe se shumë benefite i ka siguruar nëpërmjet lidhjeve që krijonte nga i ati.

Sali Berisha thotë në deklaratën e tij se ka një pasuri modeste, të përbërë nga vetëm një shtëpi dhe disa kursime që nuk i kapërcejnë 10 milionë lekë të vjetra.

Por nëse i hedhim një sy pasurisë së Shkëlzeni, atëherë këtu ndryshon puna. Ai ka me dhjetëra llogari bankare nga Shqipëria deri në Suedi dhe deklaron qindra mijëra euro të ardhura nga puna si konsulent.

Transaksionet bankare të Shkëlzen Berishës janë një hetim më vete, por ne sot do të ndalemi vetëm tek një pasuri, me vlerë marramendëse, prej 1.8 milionë euro.

Burime të Gazetës SHQIP bëjnë me dije, se djali i ish-kryeministrit, që punon si konsulent, ka blerë një godinë, në afërsi të Tiranës, me një çmim prej 1.8 milionë euro. Burimet shtojnë se pagesa është likuiduar menjëherë nga Shkëlzen Berisha, nëpërmjet një banke të nivelit të dytë.

Këtë godinë të blerë në vitin 2018, të cilën Shkëlzeni e përdor për një biznes, nuk e ka deklaruar pranë Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, duke u ekspozuar kështu përpara një vepre penale, atë të fshehjes së pasurisë.

Gazeta SHQIP tha se do të publikojë në vijim të tjera fakte tronditëse, sesi djali i ish-kryeministrit e ka blerë këtë  pronë prej 1.8 milionë eurosh, ose rreth 2.4 miliardë lekë. Ku i gjeti paratë? Si i pagoi këto para? Si e ka blerë godinën? Për çfarë e përdor këtë godinë? Kush është përfshirë tjetër në këtë biznes?

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd