Transmetuar më 23-07-2020, 15:46

"Nëse nuk reflektojmë mbi menaxhimin e situatës Covid-19 në vendin tonë, pas 2-3 vitesh, Shqipëria do përjetojë një largim masiv të të rinjve jashtë vendit, të ngjashme me vitet ’90"

"Mund të zgjedhim që të hapim ekonominë dhe jetën sociale, sikurse asgjë nuk ka ndodhur, njësoj siç po bëjmë sot, dhe të vazhdojmë derisa kapacitetet spitalore të mbingarkohen. Më pas do të shkojmë sërish në “arrest kombëtar”

Intervistoi Aranit Muraçi

Epidemiologu Taulant Muka pas një eksperience fare të shkurtër në kabinetin "Rama" ku shërbeu si zv.ministër Arsimi, dha dorëheqjen, duke mos gjetur vend në betejën apo idetë e tij, për të luftuar fenomenin e aq të përhapur në vendin tonë, i krahasuar nga rrezikshmëria e shoqërisë me virusin aktual, atë të plagjiaturave dhe diplomave të falsifikuara. Muka rreth dy vjet më parë u largua nga Shqipëria, për t’iu përkushtuar studimeve në fushën e mjekësisë.

Nga Zvicra ku ndodhet dhe punon aktualisht, Taulant Muka, në një intervistë për "NOA.al" analizon ecurinë e COVID-19 në vendin tonë.

Muka analizon rastet e pakta kur ishim të izoluar, si dhe shtimin e tyre tani që shqiptarët dolën nga izolimi, ndryshe nga ç’ndodhi me Italinë, pa e ditur se kur ka nisur përhapja e koronavirusit, kur u shënua kulmi dhe në cilën pikë të kurbës ndodhemi aktualisht.

"Izolimi në vendin tonë ishte ekstrem, tallës dhe fyes disa herë për qytetarët. U bë nga padituria, apo ishte e qëllimshme – pak rëndësi ka sot, pasi në të dyja rastet rezultati është i njëjtë", thotë ndër të tjera Muka, i cili parashikon me këto ritme edhe një izolim të dytë për shqiptarët. – Besoj me këtë ritëm të përhapjes se infeksionit sot në vendin tonë, masat shtrenguese të ngjashme me izolimin nuk do jenë të largëta në kohë", shprehet në intervistën për NOA, Taulant Muka:

Taulant, si mjek Epidemiolog dhe studiues në fushën e mjekësisë, si e konsideroni situatën më të fundit COVID-19 në vendin tonë. A po menaxhohet ajo mirë dhe a ka një kurbë që mund të shpjegohet logjikshëm, si kudo në vendet e tjera, për të ditur se në cilën fazë të pandemisë ndodhemi?

Situata në vendin tonë nuk duket aspak e mirë, mungon një vizion afatgjatë i menaxhimit të epidemisë. SARS-CoV-2/Covid-19 nuk do jenë midis nesh për pak kohë, por mund të na shoqërojnë për gjithë jetën. Derisa të ketë një trajtim apo vaksinë efikase, COVID-19 do të jetë problem madhor për shoqëritë në mbarë botën, përfshirë vendin tonë. Që të menaxhohet mirë situata, duhet në radhë të parë të kesh një ekip anti-Covid jo politik në krye të vendit, ekspertë të epidemiologjisë dhe fushave të ndryshme të diagnostikës, virologjisë, komunikimit publik, ekonomik dhe shkencave sociale që të këshillojnë qeverinë dhe shoqërinë në marrjen e masave të duhura. Vendi ynë ende bazohet në këshillat e pseudoekspertëve që thanë se me verën Covid-19 do të harrohet, ndërkohë që nuk kishin lexuar zhvillimet shkencore që 2-3 muaj më parë tregonin se temperaturat do kishin pak ose aspak impakt në përhapjen e infeksionit SARS-CoV-2. Të njëjtët (pseudo) ekspertë vazhdojnë të bëjne gafa të mëdha çdo ditë në prononcimet e tyre, dhe harrojnë se çdo gabim i tyre kushton jetë dhe vjen me pasoja të mëdha ekonomike dhe sociale për vendin. Nuk mund të menaxhohet situata duke kopjuar vendet e tjera, por vetëm duke përshtatur evidencen/masat me demografinë, kulturën dhe kapacitetet shëndetësore dhe ekonomike të vendit.

A mendoni se duheshin marrë masa aq drastike në të gjithë territorin e vendit tonë në fillim të marsit, kur kishte pak raste ose aspak, ndërkohë që vendi ynë fqinj, Italia, u ndesh me një situatë dramatike, por pas hapjes nga izolimi, e kaloi periudhën më të vështirë, ndryshe nga ne, që po e fillojmë tani?

E kam thënë që në fillim të kësaj pandemie, masat duhen marrë duke parë numrat dhe duke analizuar të dhënat, dhe në funksion të strategjisë afatgjatë që vendi ka; nuk mund të veprohet duke menduar vetëm për të sotmen! Izolimi në vendin tonë ishte ekstrem, tallës dhe fyes disa herë për qytetarët. U bë nga padituria, apo ishte e qëllimshme – pak rëndësi ka sot, pasi në të dyja rastet rezultati është i njëjtë. Masat shtrenguese dhe tallëse pa planifikuar implementimin e masave që vërtetë janë të dobishme, erdhën me pasoja të mëdha për ekonominë (pasoja që ndihen edhe sot me turizmin), e përkeqësuan më keq situatën e përhapjes së infeksionit në javët në vazhdim, dhe sollën dhe izolimin e vendit nga Bashkimi Europian. Nuk ka protokolle, nuk ka oficerë të sigurisë në institucione, nuk ka rritje të kapaciteteve testuese apo edhe kordinim me pushtetin lokal – po vreprohet sikur të ishim 100 vite më parë. Ndërkohëqësot vendi po kalon një përhapje komunitare të infeksionit, dëgjon qëveritarët dhe ekspertët të thonë se nuk është problematike situata, dhe se me kapacitetet tona spitalore do mund ta përballojmë këtë situatë, për kohë të gjatë, pasi ky që po shohim sot është piku. Këta ose janë injorantë në fushën e epidemiologjisë dhe konceptet bazë të statistikës/mjekësisë, ose kanë qëllime makabre mbi shoqërinë shqiptare. Nëse duam të parandalojmë pasaja të mëdha shëndetësore, sociale dhe ekonomike, duhet urgjentisht ndërtuar një ekip që të hartojë një plan afatgjatë të menaxhimit të Covid-19 dhe pse jo, ta kthejë krizën dhe në mundësi për zhvillim për të ardhmen. Ekonomia varet nga menaxhimi i Covid-19, çdo dështim në menaxhim të kësaj epidemie vjen me pasoja të mëdha, sikurse po i përjetojmë sot.

Nuk jetoni aktualisht në Shqipëri, por keni qenë tepër aktiv me reagimet tuaja, në rrjetet sociale, apo edhe në media. Ju akuzojnë ironikisht edhe si ‘shkencëtar’ mbi pretendimet tuaja. Si i konsideroni këto akuza, në zhvillimin e një kaosi shoqëror ku ndodhemi, ku të gjithë mund të flasin për gjithçka dhe askush nuk ka të drejtë?

“Flisni me logjikë me një “budalla”, dhe ai do ju quaj i marrë” – shprehej Euripidi. Të jesh i paditur nuk ka asgjë të keqe, por të bësh të diturin kur të mungon njohuria mbi temën dhe të mos kërkosh informacion, për më tepër të akuzosh tjetrin, të bën “budalla”/dashakeqës. Nuk jam aspak i shqetësuar për komentet në drejtim tim, por mbi rolin që padituria e veshur me petkun e ekspertit ka marrë në (keq) menaxhimin e situatës Covid-19, sikurse ka bërë në gjithë këto vite në vendin tonë me arsimin, shëndetësinë dhe ekonominë duke ndërtuar një kakistokraci – një sistem qeverisës i cili drejtohet nga qytetarët më të këqij, më pak të kualifikuar dhe/ose më të paskrupullt. Burimet njerëzore për Covid-19 në vendin tonë drejtohen nga një rektor, kirurg në profesion, dhe jo specialist i burimeve njerëzore; në ekipin anti-Covid të minsitrisë nuk ka një studiues të epidemiologjisë edhe pse po menaxhojmë një epidemi- marrëzi! Pasojat që shohim sot me Covid-19 vijnë për shkak të limiteve që kanë këta individë, që marrin vendime për ne, mbi njohuritë, ekspertizën, dhe eksperiencën e tyre, si dhe refuzimit për të pranuar që janë të paditur apo ngurimit që t’i lënë vendin ekspertëve të mirëfilltë.  Aktiviteti im shkencor është i çertifikuar nga shumë revista shkencore prestigjozë, dhe nga vetë universitetet ku unë kam punuar dhe punoj.

A i trembeni një vale të dytë më të fortë, siç flitet, në vendin tonë dhe në një rast të tillë a do të jetë në gjendje Shqipëria për ta përballuar atë?

Mund të ketë një valë të dytë, të tretë, të katërt e të dhjetë – kjo varet nga strategjia që ne zgjedhim. Ne mund të izolohemi si vend për një muaj totalisht, dhe të synojmë çrrënjosjen e virusit nga vendi ynë, e më pas kontrollin e kufijve që mos të importojmë raste nga vendet e tjera dhe të presim për një trajtim efikas ose vaksinë – pra në këtë rast nuk do kishim një valë tjetër. Njësoj sikurse po bën sot Zelanda e Re. Të njëjtën gjë mund ta arrijmë edhe duke implementuar një strategji lehtësuese dhe parandaluese në insitucionet publike dhe private, në një organizmin më të mirë të “normalitetit të ri” të shoqërisë shqiptare, e kordinuar me pushtetin lokal, rritur kapacitetet testuese, dhe organizuar ekipe agjentësh Covid-19 në të gjithë vendin. Por mund të zgjedhim që të hapim ekonominë dhe jetën sociale sikurse asgjë nuk ka ndodhur, njësoj siç po bëjmë sot, dhe të vazhdojmë derisa kapacitetet spitalore të mbingarkohen, dhe më pas të shkojmë sërish në “arrest kombëtar”, dhe ta përsërisim këtë cikël derisa të dali një trajtim ose vaksinë efikase, ose nëse jemi me fat, të shpresojmë që virusi do të dobësohet. Besoj me këtë ritëm të përhapjes se infeksionit sot në vendin tonë, masat shtrenguese të ngjashme me izolimin nuk do jenë të largëta në kohë. Personalisht jam partizan i modelit 2; besoj si vend i kemi të gjitha kapacitetet për ta arritur një gjë të tillë nëse në krye të menaxhimit të situatës vendosim ekspertë dhe jo militantë. Në mendimin tim modeli 2 do të siguronte dhe mbarvajtjen e ekonomisë, por edhe do krijonte një mjedis më të shëndetshëm fizik, psikologjik dhe social për shoqërinë shqiptare, dhe hapje të vendit me shtetet e tjera. Masat që marrin duhen parë dhe në kontekstin global, jo vetëm atë lokal. Ndërkohë, modeli 3 që duket se po zbatojmë sot, mund të vijë me një izolim disa mujor (2-3 vite) të vendit në arenën ndërkombëtare.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd