Transmetuar më 22-07-2020, 18:31

Qeveria shqiptare ka vendosur sot që të heqë aplikimin e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar për të gjitha bizneset që kanë xhiro vjetore deri në 10 milionë lekë të rinj.

Ky regjim i ri TVSH-je do të nisë të aplikohet duke nisur nga data 1 janar 2021 e tutje, pa afat të kufizuar në kohë.

Gjithsesi bizneset me mbi 5 milionë lekë xhiro kanë të drejtë të vendosin vetë nëse dëshirojnë ta aplikojnë TVSH-në.

Më herët, javën e kaluar, qeveria vendosi që të heqë plotësisht tatimin mbi fitimin për bizneset e vogla me xhiro deri në 14 milionë lekë të rinj. Ky vendim hyn në fuqi më 1 janar 2021 dhe zgjat deri më 31 dhjetor 2029. Gjithsesi edhe për vitin 2020 këto biznese nuk do të kenë tatim mbi fitimin.

Vendimi i plotë

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 159, të ligjit nr.92/2014, “Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Financave dhe Ekonomisë, Këshilli i Ministrave, vendosi: Në vendimin nr.953, datë 29.12.2014, të Këshillit të Ministrave, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:

Neni 1

Neni 10/1 shfuqizohet.

Neni 2

Në nenin 11 bëhen këto ndryshime:

1. Pika 1 ndryshohet, si më poshtë vijon:

“1. Në zbatim të nenit 117, të ligjit, kufiri minimal i regjistrimit për tatimin mbi vlerën e shtuar është qarkullimi prej 10 000 000 (dhjetë milionë) lekësh në një vit kalendarik. Personi i tatueshëm ka të drejtë të zgjedhë të zbatojë regjimin normal të TVSH-së, në përputhje me përcaktimet e nenit 120, të ligjit, nëse qarkullimi vjetor është më i madh se 5 000 000 (pesë milionë) lekë.”.

2. Pikat 2 dhe 3 shfuqizohen.

Neni 3

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare” dhe i fillon efektet në datën 1.1.2021.