Transmetuar më 22-07-2020, 17:19

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, reagoi sot pasi nga radhët e anëtarësisë së PD u propozua kandidimi për deputet në Lezhë, i gjyqtarit të dorëhequr, Gjin Gjoni.

“Paralajmërim: Ndërsa partitë përgatiten për zgjedhje, liderët do të mbajnë përgjegjësi për ata që garojnë nën flamurin e tyre. Ju lutemi kaloni në veting kandidatët tuaj – mos i fyeni votuesit, mos e dëmtoni demokracinë, mos promovoni korrupsionin", thotë zonja Kim në deklaratën e ashpër dhe paralajmëruese pas propozimit nga baza e PD.

Reagimi i zonjës Kim vjen edhe pse PD zyrtarisht njoftoi më herët se nuk e pranon propozimin për të kandiduar Gjonin, mbi të gjitha për faktin se ai nuk plotëson kushtet që ka kjo parti për kandidatët e saj.

Por a ka marrë një informacion zyrtar nga PD, zonja Kim që doli me deklaratë mbi një propozim?

Noa.al kërkoi të informohet nga PD dhe u njoftua se zonja Kim nuk ka kërkuar zyrtarisht nga PD që të konfirmohet nëse është kandiduar apo jo z.Gjoni.

Sakaq, zonja Kim nuk ka bërë asnjë deklaratë apo qëndrim mbi nismën e papritur të Partisë Socialiste dhe kryeministrit Edi Rama për të dubluar marrëveshjen e 5 qershorit përmes miratimit të saj më 24 korrik dhe anulimit më 30 korrik.

Lëvizja e Ramës u kurorëzua me një marrëveshje paralele me dezertorët e opozitës që mbajnë postet e deputetëve që braktisi në shkurt 2019 PD, LSI dhe forcat e tjera opozitare. Koalicioni Opozitar sqaroi se i qëndron vetëm paktit të 5 qershorit duke mos njohur asnjë marrëveshje tjetër paralele.

Më herët zonja Kim kishte kërkuar respektimin e plotë të paktit që u firmos nga socialistët dhe opozita në zyrën e saj. Por nuk ka asnjë reagim publik të ambasadores, që nga nisma e Ramës për lista të hapura e cila çon në pamundësimin e koalicioneve parazgjedhore e për rrjedhojë rënie të marrëveshjes së 5 qershorit sikurse ka qartësuar Opozita e Bashkuar. /noa.al/