
E parashikoi fillimisht Qendra Europiane për Monitorimin e Drogave, në bashkëpunim me Europol.
Tani kjo po konfirmohet zyrtarisht edhe në terren. Edhe po të mos mbjellësh, bima narkotike nis të rritet vetë nga farërat e mbetura, që nga kultivimi i viteve më parë, ashtu siç ndodh në bujqësi me shumë bimë të tjera.
Policia e Shtetit është duke goditur thuajse çdo ditë parcelat, në disa qarqe të vendit, dhe kur po afron sezoni i korrjeve, ka hyrë në fazën më kulminante sa i takon luftës kundër kultivimit të kanabisit.
Sipas raportimeve të vetë uniformave blu, por edhe referimeve në prokurori, trendi duket në rritje, por në disa zona të vendit, është konstatuar se bima narkotike ka mbirë dhe rritet vetë, duke mbetur pa ‘pronar’, madje dhe pa asnjë të dyshuar, që mund ta ketë kultivuar atë.
Në fakt, në këto raste ajo mbin rrallë, ndërsa nuk ka ndonjë konfirmim nëse kjo mund të jetë një lloj "hileje" e radhës nga kultivuesit, për të shmangur përgjegjësinë penale.
Europol rendiste si shkak të këtij fenomeni, pra të kultivimit masiv të kanabisut nga dora e njeriut në vendin tonë, përqendrimin e agjencive ligjzbatuese te ruajtja e masave kufizuese kundër përhapjes së COVID-19, por edhe nga mungesa e hashashit në tregjet europiane dhe për pasojë rritja e çmimit për produktin më të njohur dhe fitimprurës në ‘eksportet’ e vendit tonë, "Made in Albania", ndonëse të ardhurat nga ky aktivitet, llogariten në informalitet.
Kjo e fundit është një arsye më bindëse për trafikantët të joshur edhe nga çmimi në rritje gjatë viteve të fundit. Burime nga policia e shtetit bëjnë me dije për Euroneës Albania se nga kontrollet e ushtruara që prej muajit maj dhe deri në mes të korrikut janë konstatuar më shumë se 500 vende kultivimi.
Për vitin 2019 prokurori përgjithshëm Olsian Çela pranoi se kultivimi i kanabisit është dyfishuar, ndërsa drejtori i përgjithshëm i policisë Ardi Veliu, tha se ka pasur një angazhim më të madh të uniformave blu., Gjithsesi kanabisi është përhapur në parcela më të vogla, apo në terrene të largëta nga zonat e banuara.
Të dhënat zyrtare flasin për një numër në rritje të referimeve mbi këtë vepër penale, ndërsa të arrestuar e proceduar penalisht numërohen 120 persona, mes tyre kryesisht kryepleq, në fshatra.
/NOA.al
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





