
Nga anëtarësia e Partisë Demokratike sot është propozuar për deputet Gjin Gjoni, i cili një ditë më parë dha dorëheqjen nga posti i gjyqtarit në Gjykatën e Apelit Tiranë.
Propozimin është bërë nga dega e PD-së Tiranë, duke kërkuar që Gjoni të kandidojë në qarkun e Lezhës.
Burime zyrtare nga Partia Demokratike sqaruan se nuk ka kandidim të Gjonit nga PD qendrore, por nga anëtar të PD Tiranë, por kjo nuk nënkupton kandidim zyrtar të personit.
Sipas PD, propozimi nga një anëtar partie nuk nënkupton kandidim. Për më tepër z.Gjoni nuk i plotëson kushtet e PD për tu kandiduar për deputet.
Burimet zyrtare në PD konfirmojnë se në metodologjinë e hartuar të seleksionimit të kandidatëve nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve, është përcaktuar qartë si kriter përjashtues, që nuk mund të kandidohet nga PD “asnjë individ i cili është larguar nga detyra për shkak të vettingut apo që ka dhënë dorëheqjen nga funksioni në drejtësi pas hyrjes në fuqi të ligjit të vettingut”.
Kërkesa nga radhët e PD erdhi pasi Gjoni ka dorëzuar kërkesën e dorëheqjes më datën 17 korrik.
Kërkesën e tij e ka argumentuar me faktin se drejtësia është në kolaps si dhe ka përmendur sulmet që i janë bërë.
Po ashtu Gjoni pretendon se procesi i vetingut, “nuk është i barabartë për të gjithë”. Sipas Gjonit, “Vetingu kalohet vetëm nëse i shërben politikës”.
Me dorëheqjen e tij, Gjoni i shpëton procesit të vetingut, ndërkohë që tashmë pritet përgjigja e KLGJ-së. /k.k/noa.al/
Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd





