Transmetuar më 22-07-2020, 14:22

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, inspektoi sot spitalin e përshtatur COVID3, struktura e ish-kirurgjive në QSUT, ku aktualisht ka filluar rekrutimi i stafit infermieror, i cili po merr eksperiencë në spitalin Infektiv, për t’u përgatitur për një fluks të mundshëm të shtimit të rasteve, që do të kërkojë edhe hapjen e spitaleve COVID3 dhe COVID4.

Ministrja deklaroi se, po përgatiten për të patur burime njerëzore të nevojshme për strukturën e spitalit COVID3, për spitalin COVID4 që është në aksin Tiranë-Durrës.

“Ka filluar rekrutimi dhe trajnimi i stafit. QSUT-së i janë shtuar 50 punonjës, një pjesë tashmë janë rekturuar dhe një pjesë janë në rekrutim e sipër. Do të kryejnë dhe trajnimet e nevojshme dhe do të kombinohen me stafe të tjera me eksperiencë”, tha Manastirliu.

Ministrja e Shëndetësisë deklaroi se po përgatitet plani i veprimit për vjeshtë-dimrin, bazuar mbi një strategji të qartë.

“Kemi një strategji të detajuar në raport me situatën që presim, pra për situatën e vjeshtë-dimrit. Dhe plani i detajuar, parashikon disa komponentë të rëndësishëm dhe fuqizimin e tyre. Duke filluar nga testimi, duke vijuar nga kapacitetet spitalore, duke vazhduar tek burimet njerëzore, të cilat janë aseti ynë më i çmuar. Ndaj jemi duke mundësuar që skuadrat e mjekëve dhe infermierëve të jenë të gatshëm që në momentin që do të duhet, t’i kemi gati dhe të jenë të trajnuar”, tha Manastirliu.

Manastirliu kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për respektimin e rregullave.

“Kërkojmë bashkëpunimin e qytetarëve për të bërë kujdes në përditshmeri me 3 masa të thjeshta: mbajtja e maskës, distanca dhe higjiena personale, të vetmet armë që kemi në dorë për ta luftuar këtë virus”, apeloi Manastirliu.

Ndërsa përgjegjësi për burimet njerëzore për situatën e epidemisë, profesor Arben Gjata u shpreh se, “Kemi një plan të organizuar për përfshirjen që nga vullnetarët që kemi në listë, gjithashtu do të aktivizohen të gjithë stazhierët e disa specialiteteve, duke i kombinuar me mjekë me eksperiencë nga shërbime të tjera, në shërbimet për pacientët COVID”.

Bashkohu me kanalin e NOA WhatsApp për lajmet më të fundit direkt në celularin tënd